KOSOVE- Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se presin që dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit të vazhdojë sa më parë që të jetë e mundur, në përputhje me marrëveshjen e dy kryeministrave.

“Kemi planifikuar disa takime gjatë disa javëve të ardhshme”, ka thënë Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.

Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiç, janë takuar për herë të fundit më 21 prill dhe kanë thënë se raundi i ardhshëm i bisedimeve do të mbahet gjatë muajit maj, shkruan “express”.

Sot, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ka akuzuar autoritetet në Prishtinë se kanë anuluar bisedimet për formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë. Sipas tij, këto bisedime është dashur të mbahen të martën, por “Prishtina i ka anuluar ato në mënyrë të njëanshme”, duke u thirrur në arsye të brendshme politike.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb