Takimin në një restorant me Milan Radoiçiç, i cili ndodhet në kërkim për ngjarjen në Banjskë, Marko Gjuriç e ka quajtur “fushatë negative” kundër tij e Serbisë. Gjuriç tha se nuk ka ndërmend t’i kërkojë falje kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti e as ministrit Sveçla.

“Do të isha i zhgënjyer nëse nuk do të niste një fushatë negative me rastin e rikthimit tim të fundit. Edhe nëse është goxha e varfër. Nuk kam ndërmend t’i kërkoj falje Kurtit dhe Sveçlës apo boteve të tyre dhe njerëzve të tjerë keqdashës për asgjë”, shkruan Gjuriç. Ai pohon se nuk ndihet i turpëruar që ka takuar terroristin Radoiçiç.

“Nuk i kam fshehur dhe as nuk kam turp asnjëherë nga kontaktet publike që kam në punën që bëj. Përveç përfaqësuesve të ndryshëm serbë me të cilët kam kontakte të rregullta dhe me të cilët dëshiroj të takohem edhe sot, jam takuar shumë herë, gjithashtu në kuadër të punës sime, me udhëheqës të shumtë shqiptarë”, -vijon ai.
Ai tentoi që të largojë vëmendjen nga takimi i tij, duke thënë se takime ka pasur edhe me Kurtin e Sveçlën, dhe si rëndom akuzon krerët e shtetit të Kosovës se “shkelin të drejtat e serbëve”. Ai paralajmëron rikthim në politikë, siç po flitet në krye të qeverisë serbe. “Kam kohë që jam larguar nga politika ditore, ndaj më duket paksa i habitshëm pasioni me të cilin disa në hapësirën publike bëjnë fushatë kundër vendit të tyre, duke menduar se me këtë do të arrijnë përfitime politike. Megjithatë, në të ardhmen e afërt i presin zhgënjime të reja të mëdha. Do të kthehem së shpejti dhe mezi pres t’i përballoj të gjithë së bashku”, shtoi ai.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb