Në fshatit turistik Voskopojë ka përfunduar projekti për restaurimin e strukturave në kishën e Shën Nikollës, Shën Marisë, manastiri i Shën Prodhomit dhe kisha e Shën Ilisë.
Investimi për rehabilitimin e qendrës historike të Voskopojës kap vlerën 365 milionë lekë të reja dhe përveç rikonstruksionit të 4 kishave përfshin edhe investime në infrastrukturën rrugore të fshatit.
“Me një ndërhyrje me mbi 12 milionë lek të reja kemi nxjerrë këto kisha nga rreziku. Korça është një nga hambarët e turizmit kulturor dhe itinerari i rrugës së besimit në Korçë e ka pikën kulmore në Voskopojë, për të vazhduar me kantieret në Dhërmi, Vuno, Gjirokastër”, deklaroi Kumbaro nga Voskopoja.
Kisha e Shën Nikollës, Voskopojë ka rëndësi të veçantë, si në aspektin historik dhe atë arkitektonik si dhe ka vlera të çmuara për pikturën murale dhe artin e dekorit në interier.
Restaurimi i kryer konsiston në ndërhyrjet për përmirësime dhe për ruajtjen, rinovimin e objektit në drejtim të kohëzgjatjes së tij si monument.
Përveç arkitekturës në këtë projekt, më vonë do të ketë dhe trajtime të pikturave murale në pjesët e tyre të brendshëm dhe të jashtme. Të dyja ndërhyrjet do të rritin vlerën e objektit dhe njëkohësisht pritet që të rritet edhe numri i vizitorëve.
(BalkanWeb)