NGA: AURORA KOROMANI* TIRANE- Studentët në akademi do vijnë me konkurs dhe vetëm nga radhët e punonjësve të policisë”. Ky është kriteri bazë i përzgjedhjes së studentëve që do të nisin studimet shumë shpejt në Akademinë e Sigurisë, apo në “universitetin e policisë”. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, drejtori i kësaj akademie, Bilbil Mema sqaron se një kriter tjetër i përzgjedhjes së studentëve është edhe grada që ata mbajnë, pasi ata duhet që të kenë gradën inspektor dhe pasi të kenë punuar 5 vjet me këtë gradë dhe të kenë përfunduar më parë shkollën bazë të policisë.
Por, si është menduar strukturimi i kësaj akademie, cilat janë kriteret e tjera të përzgjedhjes të studentëve, çfarë do të ndodhë me ata që duan të futen në radhët e policisë, kur do të nisin studimet në akademi, Mema përgjigjet në këtë intervistë për “GSH”.
Z. Mema, si është menduar të funksionojë Akademia e Sigurisë?
Pas një periudhe prej një dekade, Policia e Shtetit e Shqipërisë ka përsëri akademinë e vet, e cila u krijua me vendim të KM, Nr.185, datë 25.2.2015, “Për organizimin dhe funksionimin e Akademisë së Sigurisë”, si institucion përgjegjës i vetëm i arsimit të lartë publik policor, që ka për mision formimin, specializimin dhe kualifikimin e punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe ofrimin e specializimeve dhe kualifikimeve për institucione të tjera të zbatimit të ligjit e për personat fizikë e juridikë në fushën e rendit e të sigurisë publike. Akademia e Sigurisë është institucion në përbërje të Policisë së Shtetit. Ajo zhvillon veprimtarinë mësimore e kërkimore në funksion të nevojave që ka Policia e Shtetit, në fushën e formimit dhe kualifikimeve të vazhdueshme të personelit të Policisë së Shtetit. Akademia e Sigurisë përgjigjet për:
a)formimin bazë të punonjësve të nivelit bazë të Policisë së Shtetit;
b) përgatitjen e specialistëve të lartë të Policisë së Shtetit në të tria ciklet e studimeve universitare;
c) kualifikimin e vazhdueshëm të punonjësve të Policisë së Shtetit; ç) zhvillimin e kërkimeve e të studimeve në fushën e policimit dhe të sigurisë;
d) ofrimin e specializimeve dhe kualifikimeve për institucione të tjera të zbatimit të ligjit dhe për personat fizikë e punonjësit e personave juridikë në fushën e rendit e të sigurisë publike.
Organizimi i Akademisë së Sigurisë bëhet në përshtatje me përgjegjësitë ligjore të ngarkuara dhe llojet e programeve mësimore që ofrohen, duke u bazuar në legjislacionin në fuqi për arsimin e lartë dhe për Policinë e Shtetit.
Si është menduar të strukturohet kjo akademi?
Sipas VKM, Struktura Organizative e Akademisë së Sigurisë miratohet nga ministri i Punëve të Brendshme me propozim të Drejtorit të Policisë së Shtetit. Organet dhe autoritetet drejtuese të Akademisë së Sigurisë organizohen e funksionojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi, që rregullon arsimin e lartë publik dhe organizimin e Policisë së Shtetit. Si një institucion i arsimit të lartë do të përfshihen të tre nivelet e arsimit siç përcaktohen në ligjin për arsimin e lartë. Akademia është një institucion, që do të shkollojë në mënyrë të planifikuar aq kuadro policie, sa ka për ta nevoja policia. Gjithashtu, Akademia e Sigurisë do të ofrojë në mënyrë të vazhdueshme kurse trajnimi për kualifikimet e specializimet e mëtejshme të punonjësve në detyrë të Policisë së Shtetit, në përputhje me nevojat profesionale e bashkëkohore të shërbimit policor. Njësitë kryesore të Akademisë së Sigurisë, siç janë vendosur në VKM, janë:
a) Fakulteti i Sigurisë Publike;
b) Fakulteti i Hetimit të Krimit;
c) Qendra Kërkimore Shkencore.
Përveç tyre në strukturën organizative të Akademisë së Sigurisë do të përfshihen edhe struktura të tilla, si: Shkolla bazë e Policisë; Departamenti i Zhvillimit të Karrierës dhe Departamenti i Shërbimeve Mbështetëse. Fakultetet do të përbëhen nga Departamente, në përputhje me ligjin për arsimin e lartë. Njësite e tjera të strukturës do të përbëhen nga sektorë e seksione të ndryshme.
Kur them për strukturimin, e kam fjalën për mënyrën që nga drejtimi i saj dhe deri tek strukturimi i akademisë sipas niveleve?
Sipas VKM, Akademia e Sigurisë është njësi buxhetore në përbërje të programit buxhetor “Policia e Shtetit”. Akademia e Sigurisë ka flamurin dhe stemën e vet identifikuese, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Kemi të bëjmë me një institucion të financuar nga shteti dhe që produktin që nxjerr e ka të planifikuar për ta punësuar brenda shërbimeve të veta, ndaj administrimi i akademisë do të bëhet nëpërmjet funksionarëve të lartë të Policisë së Shtetit. Drejtimi Ekzekutiv i Akademisë do të bëhet nga një drejtor me gradën Drejtues i Lartë i Policisë së Shtetit. Fakultetet, si edhe njësitë e tjera akademike, do të drejtohen nga dekanë ose drejtorë me background akademik të spikatur, të cilët do të jenë në të njëjtën kohë edhe drejtues të nivelit të lartë të policisë. Në përbërje të tyre do të ketë departamente akademike, që do të kenë në përbërje të tyre, kuadro që nuk vijnë nga radhët e Policisë së Shtetit, në funksion të formimit të studentëve të Akademisë së Sigurisë lidhur me lëndët e formimit juridik, sociologjik, psikologjik, ekonomik, e shkencor, pjesë përbërëse të kurrikulës së institucionit në fjalë. Këta pedagogë do të jenë me grada shkencore, sipas kërkesave të ligjit të arsimit të lartë. Nga ana tjetër do të ketë departamente, që do të shërbejnë për formimin policor, në të cilat, personeli mësimdhënës do të jetë me grada, jo vetëm akademike, por edhe policore, sipas niveleve të mësimdhënies.
Po kurrikulat arsimore si janë menduar që të ndërtohen dhe si po ecën bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit për këtë pjesë?
Sipas VKM, Akademia e Sigurisë, për realizimin e përgjegjësive të saj, bashkëpunon me institucionet e arsimit të lartë brenda dhe jashtë vendit, organizmat ndërkombëtarë dhe institucionet homologe të huaja, si dhe organizatat joqeveritare të interesuara në fushën e rendit e të sigurisë publike. Për kurrikulën kemi shumë për të thënë, sepse akademia nga kjo pikëpamje po konceptohet si një akademi e sistemit perëndimor. Në këtë pikë po bashkëpunojmë me CEPOL (Kolegji i Policisë Europiane), me qëllim që të jemi në të njëjtën linjë formimi si studentët në Akademinë e Sigurisë të Shqipërisë, ashtu edhe ata të vendeve të BE. Po kështu, po bashkëpunojmë me Universitetin e Tiranës, për të unifikuar lëndët, të cilat do të bëhen këtu, dhe njëkohësisht bëhen edhe në universitetet e tjera të Shqipërisë. Akademia do të funksionojë sipas sistemit të Bolonjës 3+2. Në përfundim të 3 viteve (6 semestrave), studentët do të diplomohen në diplomën (Specialist i Lartë i Sigurisë). Studentet në Akademi do vijnë me konkurs dhe vetëm nga radhët e punonjësve të policisë, që kanë gradën inspektor, pasi kanë punuar 5 vjet me këtë gradë në polici dhe kanë përfunduar më parë shkollën bazë të policisë (kolegjin e policisë). Studentët do të jenë të lidhur me punën e tyre dhe 3 muaj në vit do të bëjnë praktikë dhe punë. Qëllimi është që të bëjmë një shkollë aplikative për ti shërbyer sa më mirë policisë në terren. Në përfundim të 3 viteve me marrjen e diplomës, oficerit të policisë nuk i kërkohet asnjë kualifikim tjetër për nënkomisar. Me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit e merr këtë gradë. Natyrisht që kjo akademi është një shkollë profesionale dhe do të certifikojë edhe kurse kualifikimi për dhënie gradash policore, për punonjësit e policisë në përbërje të strukturave të policisë. Në zbatim të ligjit, “Për Policinë e Shtetit”, do të certifikohen gradat: Komisar, Kryekomisar dhe Drejtues i Parë. Grada Drejtues do të fitohet vetëm pas përfundimit të studimeve 2 vjet, me program të integruar si nivel i dyte i studimeve edhe në këtë rast do të jepet diplomë (Drejtues për Sigurinë). Për nevoja pune në akademi do të ketë edhe kuota të nivelit të tretë të studimeve, të cilat do të konceptohen jo thjesht si studime akademike, por ato do të jenë të lidhura me problemet që dikton zhvillimi i përgjithshëm i vendit në drejtim të sigurisë kombëtare.
Çfarë do të përmbajnë këto kurrikula?
Kurrikulat janë shumë komplekse, por nëse do të bëjmë një pyetje, se si do të jetë përbërja e lëndëve në fakultete, atëherë mund të përgjigjemi, se në fakultete përqindje shumë të madhe zënë formimi juridik që gati i afrohet 50% të sasisë orëve. Gjithashtu, do të ketë edhe lëndë të formimit të përgjithshëm si Psikologji, Sociologji, Ekonomi, Teknologji Informacioni, gjuhë të huaj, etj.
Ju thatë që studentët e akademisë do zgjidhen nga radhët e punonjësve të policisë, po për personat civilë që duan të futen në radhët e policisë si do të veprohet?
Natyrisht që për personat civilë që duan të futen në radhët e policisë, do funksionojë ajo që quhet shkolla bazë e policisë. Ato që deri tani janë quajtur kurse 6 mujore, nuk do jenë më 6 muaj, por do jenë një vit dhe kjo do quhet shkolla bazë e policisë dhe më pas ata që do mund të përzgjidhen do të vazhdojnë studimet në akademi. Kur do të munden studentët që të nisin studimet në këtë akademi? Akademia është e përfunduar dhe i ka të gjitha kapacitetet për të filluar mësimin lidhur me fakultetet. Tani është duke zhvilluar mësim Shkolla bazë e Policisë me kapacitet të plotë dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen me kurset e kualifikimit të vazhdueshëm. I gjithë stafi i akademisë, me mbështetjen e Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe MPB, është mobilizuar për të filluar vitin e parë akademik në tetor të këtij viti në të dy fakultetet, pas procedurave që do të bëhen para këtij afati për përzgjedhjen e studentëve. Jemi duke punuar për përfundimin e dokumentacionit, që kërkohet nga Ministria e Arsimit.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)
