TIRANË- Deputeti i PD-së Ervin Salianji ka dalë sot para mediave duke akuzuar deputetin socialist Alket Hyseni për grabitjen e 11 mijë metrave katrorë tokë në Dhërmi.
Salianji tha se Hyseni ka blerë për 200 milionë lekë një pronë nën sekuestro dhe më pas e kaloi në firmën e babait të tij.
Deputeti demokrat deklaron se Edi Rama i dha mikut të tij Gon Papuli leje për të ndërtuar në tokën e grabitur prej ish-shefit të Task Forcës.
DEKLARATA E PLOTË E SALIANJIT
Deklaratë e Sekretarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Ervin Salianji
Ish-doganieri Alket Hyseni, sot deputet i Partisë Socialiste, nuk është marrë akoma nën hetim nga Prokuroria për akuzën e rëndë të grabitjes së 11 mijë metra katrorë tokë në Dhërmi.
Vetë Alket Hyseni, i besuari i Edi Ramës për të verifikuar tjetërsimin e pronave në Bregun e Jugut nga viti 2014 deri në vitin 2016, nuk ka dhënë asnjë shpjegim sesi u bë pronar i një prone, transaksioni për të cilën ishte ndaluar me vendim nga Gjykata e Vlorës.
Alket Hyseni duhet t’i përgjigjet pyetjes sesi ia doli të bëjë kaq shumë pasuri në një kohë kaq të shkurtër. Heshtja nuk e ndihmon dot as Alket Hysenin dhe as Edi Ramën të fshehin këtë grabitje për llogari të mikut të kryeministrit, Gon Papuli.
Skema është e qartë. Alket Hyseni e ka siguruar pronën nga një i arrestuar vitin e kaluar për falsifikimin e dokumenteve, në kohën kur Hyseni drejtonte Task Forcën për pronat e Bregut në Jug.
Pra, Alket Hyseni e dinte konfliktin për këtë pronë, por sërish e bleu pronën e tjetërsuar me dokumente të falsifikuar për më shumë se 200 milionë lekë. Më pas pronën ia kaloi një firme, që siç rezulton nga dokumentet është e babait të tij.
Por që skema të përfundonte me sukses dhe toka bujqësore të mos mbillej me ullinj, por me beton, Edi Rama i dha mikut të tij Gon Papuli leje për të ndërtuar në tokën e grabitur prej ish-shefit të Task Forcës. Përfitues nga ndërtimi do të jenë me letra Gon Papuli dhe Alket Hyseni.
Rasti i grabitjes së pronave nga peshku i madh Alket Hyseni, me dijeni të Edi Ramës, është treguesi më i qartë i përdorimit të dy standardeve nga kryeministri që bërtet për drejtësi.
Njësoj si në diktaturën e Napoleonit tek Ferma e Kafshëve të George Orëell, Edi Rama ka vendosur të zbatojë rregullin e ri se “të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë edhe më të barabarta”.
Këtë rregull ai e zbatoi për Saimir Tahirin, për të cilin po bën gjithçka të mbyllë hetimet. Këtë rregull po zbaton edhe për Alket Hysenin, i cili jo vetëm ka grabitur prona, por, si drejtor i Zyrës Kundër Pastrimit të Parave ka mbikëqyrur edhe transaksionet financiare të bankës së gruas së kryeministrit.
(m.k/BalkanWeb)