Marco Rapisarda, roja i sigurisë në stadiumin e Torinos e ka pësuar keq nga një top i goditur nga futbollisti i Interit Antonio Candreva.

Në ndeshjen e zhvilluar të dielën, të fituar nga vendasit, zikaltërit morën një goditje dënimi në minutën e 23-t, e cila u ekzekutua nga anësori Antonio Candreva.

Topi që kaloi pak mbi traversë mori një trajektore të çuditshme, duke u përplasur në kurrizin e stjuardit të ri, që ishte me shpinë nga fusha, pasi ishte i impenjuar për sigurinë në shkallët e stadiumit, raportojnë mediat italiane.

Marco, tifoz i Torinos, ka ndjerë dhimbje, por e ka përfunduar ndeshjen, duke qenë i bindur se ishte diçka kalimtare. Në fakt, mëngjesin e nesërm ka kuptuar se bëhej fjalë për dëmtim të shpretkës. Një organ, që edhe nga ana kirurgjikale është e vështirë të ndërhyhet. Mjekët po shohin opsionin që është më pak i dëmshëm për djaloshin.

Tani parësore për Markon është të stabilizojë shëndetin dhe pastaj ai vetë do të vendosë, nëse do të vazhdojë të bëjë stjuardin në stadium apo jo, pas kësaj që ka ndodhur. Sigurisht, ai është kënaqur nga fakti që është vizituar nga një delegacion i Torinos në spitalin ku është shtruar.

(e.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb