Një ditë pas referendumit për emrin në Maqedoni, i cili rezultoi i dështuar për shkak të pjesëmarrjes së ulët, vjen reagimi nga eurodeputeti dhe anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, Eduard Kukan. Përmes një postimi në ‘Twitter’ Kukan nënvizoi fakton se duhet të kuptohet sinjali pozitiv i referendumit nga politika.

“Sinjali pozitiv i këtij referendumi duhet të kuptohet nga politika. Të shfrytëzojnë mundësinë për të ecur përpara, për një të ardhme më të mirë të Maqedonisë”, tha në reagimin e tij Kukan. Ndërkohë, për referendumin ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

Përmes një deklarate DASH apelon partitë në Maqedoni të ngrihen mbi politikat partiake dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi historike. “SHBA-të fuqishëm e mbështesin implementimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës e cila i mundëson Maqedonisë të marrë vendin e merituar në NATO dhe BE dhe do të kontribuojë në stabilitetin rajonal, të sigurisë dhe prosperitetit.

Kuvendi i Maqedonisë tani fillon me shqyrtimin e ndryshimeve kushtetuese, ndaj i ftojmë liderët të ngrihen mbi politikat partiake dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi historike që të mundësojnë të ardhme të ndritur për vendin si anëtare e plotfuqishme e institucioneve perëndimore”- thuhet në deklaratën e DASH.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb