Avokati i kreut të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka deklaruar se Basha është tërësisht i përfaqësuar në procesin gjyqësor, i cili u mbajt në gjykatë për rastin “Toyota Yaris”.
Sipas Bardhit, lideri i PD-së vijon t’u qëndrojë deklaratave të bëra publike për rastin e bllokimit të 3.4 milionë eurove në “Toyota Yaris”, të cilat u kapën muaj më parë në Durrës.
Pas kësaj, Basha drejtoi gishtin drejt Taulant Ballës, të cilin e quajti si person të përfshirë në eurot e bllokuara në Durrës.
“Procesi sot ishte një seancë pajtimi, ne shprehëm se i qëndrojmë të gjithë atyre që kemi deklaruar në fillim. Zoti Basha është në proces, nëpërmjet avokatëve të tij. Personalisht Balla ka hallin e tij dhe vjen në Gjykatë. Basha iu qëndron të gjithë deklaratave të bëra në publik. Ky është një proces ligjor dhe do të ndjekim çdo hap ligjor, që ne e përfaqësojmë”, tha ai.
Eksperti i çështjeve ligjore brenda PD-së, foli edhe për rastin e një materiali të publikuar mbrëmë në një emision televiziv nga deputeti Ervin Salianji.
“Në dijeninë time prokuroria e ka marrë atë material. Sigurisht është detyrë e prokurorisë, se në gjykimin tim e dinë se kush është Alizoti.S igurisht detaje mbi këtë video nuk disponoj, sepse nuk kam materiale shtesë. Kjo çështje do të zgjidhet dhe e vërteta do të dalë pa diskutim. Pavarësisht se kryeprokurorë e prokurorë nuk ka, por Edi Rama është prokuror në mëngjes dhe prokurorët e komanduar prej tij vendosin në darkë pë zbatimin e urdhrave”, shtoi ai.
(n.m/BalkanWeb)