TIRANE– Një ditë pas votimit të ministrave teknikë në seancën e jashtëzakonshme plenare, dhe të vettingut, dy partitë më të mëdha politike në vend po vijojnë me përmbushjen e pjesës tjetër të marrëveshjes. Vetëm pak ditë ndajnë nga nisja e fushatës elektorale, pas përfshirjes edhe të opozitës në këtë proces.

Analisti Andi Bushati në rubrikën “Opinion” në “News24” ka komentuar situatën politike në vend, teksa ndalet edhe mundësitë për koalicione paszgjedhore.

Bushati thotë se objektivi i Ramës për 71 mandate në zgjedhjet e 25 qershorit është e i paarritshëm, dhe për këtë sipas tij, kreu i PS ka dy rrugëdalje.

Analisti thotë se mundësia e Ramës është ose për një koalicion me LSI, ose një koalicion i madh PS-PD.
“Mendoj se objektivi i Ramës është i paarritshëm, pasi në vitin 2009 nuk shkoi përtej 66 mandateve, 4 vite më vonë nuk shkoi mbi 65 mandate. Të mendosh që në këto 4 vite i ka shtuar votuesit e tij, i bie jo vetëm nuk ke jetuar në Shqipëri, por as në këtë planet. Mendoj se objektivi 71 mandate është i paarritshëm. PS ka dy rrugëdalje, ose do përsëritë koalicionin me LSI; ose Rama të shkojë drejt një koalicioni të madh PD-PS. Kjo do varet nga zgjedhja politike që do bëjë Rama. Për të qeverisur i qetëm Rama do qeverisë me Metën. Por pas goditjeve dhe sulmeve që ka marrë për situatën me drogën mund të bëjë një koalicion të madh”, tha Bushati.

Duke komentuar qëndrimin e LSI se do të jetë forcë e parë në zgjedhjet e 25 qershorit, Bushati thotë se kjo nuk është e arritshme.

“As LSI-stët vetë nuk e besojnë se LSI mund të jetë një forcë e parë. Është një gjë që e kanë thënë gjithmonë. Është një gjë për të mbajtur me gajret elektoratin e vet. LSI duke qenë një parti klienteliste, që votën ë premton duke premtuar vende punë, LSI është mbajtur me retorikën “votoni për ne, se do jetë mirë edhe për ju”. Këtë radhë distancimi të paktën në fjalor që ka me Ramën dhe mundësia e një koalicioni të madh mund të krijojë në mentalitetin e njerëzve një psikozë që LSI për herë të parë mund të mos jetë parti në pushtet. Dhe kjo psikozë e shkatërron LSI në elektorat. LSI në zgjedhjet kaluara ka ngrënë shumë vota nga hambari i PD. Por duke qenë sot një patri në pushtet dhe duke qenë mundësia e një koalicioni të madh nesër bën që votuesit e PD të jetë më të sigurt”, u shpreh Bushati.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: