Nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi, ka bërë një parashikim në lidhje me garën në disa nga bashkitë kryesore në vend në zgjedhjet lokale të 14 majit.

I ftuar në emisionin “Pa censurë” në TVSH, Bylykbashi përmendi bashkitë në të cilat mendon se PD ka më shumë mundësi të fitojë.

Ai tha se sa i përket Durrësit, shanset janë që PD t’ja kthejë qytetin durrsakve.

“Nga Primaret ka dalë Igli Cara me shumë eksperiencë, ish deputet, ish-drejtues PD dhe së fundmi i zgjedhur si Kryetar i PD nga anëtarësia. I njeh shumë mirë problemet e Durrësit dhe kjo është dega ku anëtarësia është më e bashkuar se kudo. Kemi qenë gjithmonë gati 50-50 si opozitë në Durrës. Në 2019 shanset për të marrë Durrësin kanë qenë shumë të larta, nuk them tani janë pak, por mundësitë ishin më të larta, pasi ishte një kandidate e dobët përballë. Shanset e PD që t’ia kthejë Durrësin demokratëve si një motorr i madh zhvillimi, janë të gjitha aty”, tha ai.

Bylykbashki foli edhe në lidhje me garën në bashkitë e Tiranës, Elbasanit, Shkodrës dhe Korçës.

“Në Elbasan kemi shanse te jashtëzakonshme. Zoti Boçi është një figurë politike me profil shumë të lartë politik në PD. Tirana është e madhe dhe e paparashikueshme për pushtetin. Belind Këlliçi, një kandidaturë që vjen nga radhët e rinisë, me një dinamikë të lartë politike, i zgjedhur me votë te qartë nga anëtarësia dhe me mbështetjen e zoti Alimehmeti që ka mbështetjen e një elektorati më të ekuilibruar, janë një shans i madh. Shkodrën sigurisht që e mbajmë. E mbajtëm atëherë kur nuk kishim asgjë. Sigurisht do të synojmë të fitojmë bashki të tjera. Do të luftojmë edhe për Korçën që ta fitojmë. Unë jam politikan i kujdesshëm kur flas, jam i bindur që në Korçë kemi kandidat të mirë dhe betejën do ta bëjmë të fortë. Përballë kemi makinerinë e shtetit, por duke ditur që Edi Rama është armiku i zgjedhjeve, do të përballet me një strategji asimetrike në këto zgjedhje dhe do të ketë të vështirë të parashikojë cili është rezultati”, tha zoti Bylykbashi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb