TIRANË- “Historia e njerëzimit dhe urbanistikës bëhet nga ndërtime, të cilat ose i mbivendosen njëra-tjetrës ose zëvendësojnë njëra-tjetrën dhe ne sot jemi në vitin 2018 mbasi kemi shtresëzime të vendosura në shekuj”. Kështu u përgjigj Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro në emisionin “Kjo javë” në News24 e pyetur nëse puna për teatrin do të nisë nga zero. Kumbaro theksoi se godina aktuale nisur nga ekspertizat është e amortizuar në moskthim për shkak të teknologjisë, për shkak të kohës dhe për shkak të mosndërhyrjes për 70 vjet dhe është në limitet e rrezikut për atë objekt.

Kur flasim për një teatër të ri, që do ndërtohet, çfarë mund të themi për vlerat historike, për ruajtjen e identitetit? Ka shumë akuza që do të prishet, do të ikë identiteti.
Në fakt për sa i përket ruajtjes së identitetit e kemi treguar gjatë këtyre 4 viteve se sa shumë është për trashëgiminë kulturore, për gjëra me vlerë shekullore, të cilat praktikisht ose janë zhdukur për fat të keq në këto 25 vite.

Po për teatrin?
Jo, se qasja njësoj është dhe qasja është globale. Nuk ka një politikë për një objekt. Ka politikë për identitetin dhe trashëgiminë kulturore në total nga Konispoli deri në Shkodër. Ndërkohë objekti në fjalë, i cili sipas ekspertizave ne presim dhe një ekspertizë të fundit të institutit të ndërtimeve që është institucion i profesionalizuar dhe që ka ekspertizën e duhur është një godinë e amortizuar në moskthim për shkak të teknologjisë, për shkak të kohës dhe për shkak të mosndërhyrjes për 70 vjet dhe është në limitet e rrezikut për atë objekt. Ne kemi marrë masat në këto 4 vite dhe kemi bërë disa ndërhyrje për të ruajtur stabilitetin. Por të gjitha ekspertizat deri tani flasin për një godinë tejet të amortizuar të një periudhe, e cila dhe kur është ndërtuar për një periudhë kohe.

Mirë si i bie, të niset nga zero?
Nuk do të thotë të nisësh nga zero. Historia e njerëzimit dhe urbanistikës bëhet nga ndërtime, të cilat ose i mbivendosen njëra-tjetrës ose zëvendësojnë njëra-tjetrën dhe ne sot jemi në vitin 2018 mbasi kemi shtresëzime të vendosura në shekuj. Dhe vetë qyteti i Butrintit është një qytet i cili nuk është ndërtuar njëherë e përgjithmonë por në të cilin gjejmë mbivendosje urbanistike, arkitekturore të shekujve. Në vitin 2018 ndërtohen objekte të vitit 2018. Në vitin 1981 është ndërtuar muzeu historik kombëtar.

Në vitin 2016 është ndërtuar teatri i ri në Korçë. Pra, çdo vit lë urbanistikën e vet dhe i gjithë qytetërimi kështu është ndërtuar. Ajo që është e rëndësishme është që ne po flasim për një ndërtim funksional në emër të artit. Po flasim për t’i ofruar kryeqytetit por edhe Shqipërisë një skenë të re dinjitoze për artistët por edhe për publikun dhe e rëndësishme është që ne të vazhdojmë të ruajmë emrin e performancave të ikonave të skenës së teatrit shqiptar me performancat të të njëjtit nivel profesionalizmi sot edhe për aktorët që do të vijnë.

Pra, aty ku kemi vlera, dhe ne e treguam me sheshin “Nënë Tereza” që është një ndër polet më të rëndësishme të qendrës historike të Tiranës, i cili ishte totalisht i mbytur, i fshehur, i shëmtuar, nga ndërtimet pa leje të cilat për çudi u hipotekuan dhe u legalizuan për një muaj në 2013-ën, në në 2014-ën përveç se e pastruam rikthyem e asaj që përbën vërtetë një vlerë të trashëgimisë kulturore të qytetit të Tiranës. Pra, nëse duam të flasim se si e sheh kjo qeveri trashëgiminë kulturore, e kemi treguar me investimet që kemi bërë dhe me punën që është bërë për rikthimin e trashëgimisë kulturore në vlerat e veta që nga Marubi deri ikonat në Korçë shumë më tepër se sa është bërë në 25 vite.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb