Pavarësisht se Rusia vazhdon të pretendojë se po tërheq më shumë trupa nga kufijtë me Ukrainën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka përsëritur komentet e tij të djeshme se ai beson se nuk ka ndodhur asnjë de-përshkallëzim.

“Përkundrazi, duket se Rusia po vazhdon vendosjen e saj ushtarake”, ka thënë Jens Stoltenberg, shkruajnë mediat e huaja.

Ai po fliste në një konferencë shtypi ndërsa ministrat e mbrojtjes të NATO-s po takohen në Bruksel. Rusia ka lëvizur gjithmonë trupa përreth dhe kjo nuk do të thotë se ka pasur një tërheqje të plotë, tha ai.

Sipas SkyNews, numri i trupave ruse në kufijtë e Ukrainës po vazhdon të rritet dhe një pushtim i plotë mund të nisë pa paralajmërim, vazhdoi ai.

Stoltenberg tha se NATO mbetet e gatshme për diskutim dhe një zgjidhje diplomatike, por është “e përgatitur për më të keqen”.

Mesazhet e fundit mbi diplomacinë nga Rusia ofrojnë një terren për “optimizëm të kujdesshëm”, tha ai, por mbetet për t’u parë nëse Moska do të tërheqë ushtrinë e saj.

Por Kremlini e ka mohuar këtë, duke thënë se NATO-ja është “gabim” lidhur me këtë.

Rusia mohoi gjithashtu të ketë ndonjë përfshirje në një sulm DDoS, i cili ka bërë që uebsajti i ministrisë së mbrojtjes të Ukrainës të dalë nga funksioni.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb