TIRANË- Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi në emisionin “Oponencë” në News24 ka folur mbi sfidat e sigurisë dhe kapacitetet institucionale në Shqipëri, duke theksuar nevojën për gatishmëri më të madhe përballë rreziqeve të ndryshme.
Ai u shpreh se periudha e kaluar ka qenë sfiduese për institucionet e sigurisë, duke përmendur edhe raste të personave që janë larguar dhe më pas janë rikthyer, çka sipas tij tregon kompleksitetin e situatave me të cilat përballet vendi.
Ajazi theksoi se asnjë shtet nuk është i imunizuar nga kërcënimet, duke përmendur edhe sulmet kibernetike si një rrezik gjithnjë në rritje.
Sipas tij, fakti që Shqipëria është një vend turistik e rrit përgjegjësinë për institucionet e sigurisë, sidomos në periudha kur lehtësohen lëvizjet ndërkombëtare, përfshirë edhe regjimin e vizave.
“Ka qenë një kohë sfiduese. Ne nuk jemi siç është policia, supozohej se duhet të kishim informacione. Por një pjesë ka ardhur deri vonë, që kanë ikur fëmijë të vegjël dhe janë rikthyer. Ishte edhe një periudhë post traumatike dhe kishte të bënte me vetë Shërbimin se sa shoqërinë. Kapacitete kemi, por a janë mjaftueshme? Asnjë shtet nuk është imun, kujtojmë sulmet kibernetike. Duke qenë një vend sot, një vend turizmi duhet të përgatitemi. Po heqim edhe vizat në verë, qoftë edhe për Rusinë në këtë rast përgjegjësia është shumë më e madhe. Institucionet me rëndësi të veçantë, duhet të jenë në gatishmëri. Gjithë historia është që ne të përgatitemi në mënyrë që dëmi të jetë mininal. Shërbimi është një institucion mjaft profesional dhe për këtë jam i sigurt 100 %. Por si çdo vend tjetër edhe ne duhet të tregojmë kujdes edhe pse kemi bashkëpunim me aleatë”, tha mes të tjerash ai.
