Luçiana Kokaj, banore e zonës së Rrjollit, e ftuar në studion e emisionit “Oponencë” në News24, ka folur lidhur me protestat e fundit, duke e lidhur kauzën e protestës me betejën disamujore që banorët e Rrjollit po bëjnë.

Kokaj denoncoi me forcë dhunën policore, arrestimet e familjarëve dhe atë që ajo e quajti “censurë të madhe” ndaj situatës në Rrjoll, ndërsa theksoi se revolta e sotme në kryeqytet ka kaluar çdo kufi lokal.

Banorja shpjegoi kalvarin e gjatë nëpër gjykata të dhjetëra familjeve që rrezikojnë të humbin pronat e tyre të trashëguara prej brezash, pavarësisht se zona mbrohet edhe me konventa ndërkombëtare.

“Rrjolli është zonë e mbrojtur edhe në konventa ndërkombëtare. Unë kam mbrojtur të drejtën e tim biri për pronën e gjyshit të vet. Ne sorollatemi në gjykata për të drejtën tonë, jemi 5 fise, mbi 100 familje dhe nuk qenkemi pronarë?! Historia jonë nuk qenka e vërtetë?! Rrjollit i është bërë një censurë e madhe,” u shpreh e revoltuar Kokaj.

Më tej, ajo tregoi me detaje qëndresën e banorëve të zonës, duke akuzuar drejtpërdrejt Policinë e Shtetit për dhunë dhe presione të vazhdueshme mbi komunitetin që refuzon të lëshojë tokën.

“Ata banorë kanë bërë një punë heroike. Kanë 4 muaj përballë Policisë së Shtetit. Jemi dhunuar nga ta, jemi arrestuar, familjarët tanë kanë ndejtur në burg me ditë,” dëshmoi banorja.

Në mbyllje të fjalës së saj, Luçiana Kokaj dha një mesazh të fortë solidariteti për protestën që po zhvillohet në Tiranë, duke nënvizuar se kauza tashmë është bërë kombëtare dhe ka bashkuar të gjitha vatrat e pakënaqësisë qytetare në vend.

“Kjo protestë në Tiranë është përtej Rrjollit dhe Zvërnecit,” përfundoi ajo, duke lënë të kuptohet se revolta popullore ka marrë përmasa që nuk mund të ndalen më.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb