Italia, e përfaqësuar nga grupi “Maneskin”, është shpallur fituese e “Eurovision 2021”. Por fill pas fitores, një video e publikuar në rrejte sociale, implikoi drejtpërsëdrejti anëtarin kryesor të grupit, Damiano David, i cili dukej se gjatë festivalit po konsumonte kokainë.

Por, e gjitha ka mbetur në vazhdën e aludimeve e pretendimeve, pasi analizat e drogës kanë dalë në përfundimet se ai, nuk ka konsumuar kokainë gjatë finales së spektaklit.

“Asnjë përdorim droge nuk ka ndodhur gjatë spektaklit dhe kjo çështje deklarohet e mbyllur”, u shpreh Bashkimi Evropian i Transmetimeve.

Sakaq, pas ngjarjes e aludimeve, ka reaguar edhe vetë David, ai shpjegoi të gjithë dinamikën e ngjarjes, si dhe shprehu hapur gatishmërinë e tij për të bërë testin e drogës.

“Tomas (një prej kitaristëve të grupit) theu një gotë në këmbën e tij dhe unë po e ndihmoja të pastronte mbetjet. Unë nuk përdor kokainë, ju lutem mos e thoni këtë gjë. Jam gati të bëj testin e nevojshëm, si unë edhe grupi im. S’kemi asgjë për të fshehur. Erdhëm këtu vetëm për të kënduar. Rock’n’ roll-i nuk do të vdesë kurrë. Ju duam shumë”, tha lideri i grupit të njohur.

“Zitti e buoni”, kënga e kënduar nga grupi “Maneskin”, u shpall fituese e festivalit prestigjioz të këngës, kujtojmë që në vend të dytë u rendit Franca, ndërsa në vend të tretë Zvicra, e cila përfaqësohej nga shqiptari Gjon Muharremi.

Ndërsa Shqipëria, e përfaqësuar nga Anxhela Peristeri u ndal në vendin e 21-ë me 57 pikë të grumbulluara në total.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb