Gazetarja Xhensila Kodra, e ftuar në studion e News24, ka dhënë detaje të reja mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë në Balldren të Lezhës, ku një çift bashkëshortësh u ekzekutua me armë zjarri në një atentat të dyshuar me sfond hakmarrjeje.
Sipas saj, një prej të dyshuarve, Adriano Mhillaj, ka qenë nën vëzhgimin e policisë për një periudhë kohe, pasi më herët ishte shpallur në kërkim për një konflikt të armatosur në Shkodër.
“Gjithçka nis nga Adriano Mhillaj. Pak muaj më parë, për shkak të një konflikti në Shkodër, ai ishte shpallur në kërkim dhe nuk ishte ndaluar nga policia. Gjatë kësaj kohe është mbajtur nën vëzhgim dhe përgjim,” u shpreh Kodra.
Sipas saj, hetimet tregojnë se në këtë periudhë Mhillaj dyshohet se ka komunikuar me kushëririn e tij, Florian Mhillaj, duke planifikuar një vrasje, por pa qenë ende e qartë për hetuesit se kush ishte objektivi.
Gazetarja shtoi se ngjarja mund të ishte parandaluar nëse arrestimi i tij do të ishte kryer më herët nga policia e Shkodrës, pasi sipas saj, përgjimet kanë treguar përgatitje për një atentat që nuk ishte zbuluar në kohë.
