NGA ANDI TEPELENA*

Më datë 29 nëntor u hap edicioni i 21-të i ekspozitës së artit bashkëkohor “Onufri”, me titull “Arsyeja e Brishtësisë. – SiO2, Si e Shkronjëzojmë Fjalën K-U-J-D-E-S kur Përballemi me Qelqin?”. Duo kuratoriale Vest&Page (Verena Stenke dhe Andrea Pagnes), të mirënjohur për publikun shqiptar, sugjerojnë që në titullin kuratorial një ekspozitë krejt të veçantë, ku elementi simbolik/metaforik i qelqit do të mbizotërojë një hapësirë imagjinare veprash që prekin gjendjen shpirtërore vetjake, por dhe një hetim të realitetit që rrethon individin. Qelqi dhe estetika e tij bëhet pjesë e progresit modern kulturor.

Nisur nga ky fakt, ekspozita i kalon pritshmëritë e një ekspozite normale si ato që shohim me shumicë në hapësirat/galeritë e artit të Tiranës, ku koncepte të përgjithshme pakkush i kujton për mesazhin që kanë dashur të na thonë. Qelqi në aspektin social-kulturor na bën të reflektojmë mbi funksionin estetik pozitivist që mund të marrë në këtë amullinë që mbizotëron në urbanistikën e qyteteve tona. Por kjo do të kërkonte imagjinatën pa kufi të Chris Burden, i cili do t’u jepte dritë qyteteve tona nëpërmjet ndriçuesve të qelqtë, duke i kaluar më pas në prodhim në seri.

Tek ekspozita ‘Onufri’ qelqi merr një vlerë poetike sipas trinitetit konceptual: transparencë, brishtësi, rezistencë. Por, mbi të gjitha, i drejtohet së bukurës në pluritetin e formave që përfaqësohen në veprat e artit. Të vijmë te pjesëmarrja e artistëve. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë në kryeqytetin shqiptar që të shihje vepra të ikonave të artit konceptual botëror si Marina Abramovi? dhe Ulay, Chris Burden, Tony Cragg, Jan Fabre, Joseph Kosuth, Boris Nieslony, Yoko Ono, Jaume Plensa, Douglas Quin, Larence Weiner, Leonardo Cimolin, Seamus Farrell, Andrea Morucchio, Nelda Ramos. Do të ishte e pamundur të flitet për rëndësinë e tyre në artin bashkëkohor botëror në një shkrim si ky maestro i artit bashkëkohor, do të kërkonte dhjetëra e dhjetëra artikuj të tërë. Falë punës së kujdesshme, Vest&Page (Andrea Pagnes dhe Verena Stenke), njohës të mirë të skenës së artit në Shqipëri, veprat e tyre më domethënëse bëhen të njohura për publikun shqiptar dhe lidhen konceptualisht me kontekstin shqiptar.

“Onufrin” e hapi në hyrje të Galerisë Kombëtare një performancë live e titulluar “A Feather Fell Don On Tirana”, një cikël performancash prej viteve ’80, por kësaj radhe e konceptuar posaçërisht për “Onufrin” nga artisti performues më i njohur gjerman, Boris Nieslony. Korridori në hyrje është i mbushur me foto/instalacione që provokojnë një ndjesi të thellë për tragjedinë humane në luftërat civile nëpër botë. Kjo vepër bën që publiku të reflektojë mbi mizoritë që ndodhin në ditët e sotme në kurriz të njerëzimit, por që për fat të keq, për syrin tonë ndodhin vetëm në kutitë e televizorëve apo rrjetet sociale në epokën e “spektaklit” masiv. Boris thyen dhunshëm në kokë një nga një 39 pllaka xhami. Ndërsa në sfond, zëri bas i emocionuar i Gent Gjikolës lexon emrat e vendeve ku kanë ndodhur gjenocide lufte. Xhami i fundit lihet i pathyer, si dëshmi e performancës së fundit të karrierës që i dhuroi publikut shqiptar, Boris Nieslony. Publiku duhet të kalojë pas performancës (gjatë kohës së ekspozitës) pranë copave të xhamit të thyer e të gjakosur nga plaga e shkaktuar në kokë.

Performanca e Boris mund të perceptohet si një “mazokizëm” artistik në ekstrem të kufijve fizikë, duke vënë në sprovë publikun e pranishëm të pamësuar me akte estetike që shtyhen në ekstremin e dhimbjes trupore. Dhimbja fizike dhe gjaku, në këtë performancë ekstremisht të dhunshme, janë shumë të ngjashëm me konceptin fetar të sakrificës, duke sjellë mesazhin e rolit estetik dhe etik të artistit në ditët e sotme.

Gjatë dhe pas performancës të Boris Nieslony dëgjohet një krismë arme, duke shkaktuar një moment shock te publiku. Eshtë soundi që vjen nga videoja e Andrea Morucchio, me titull “Rivoluzioni” (2011). Artisti kryen një lëvizje rrethore, ekstremisht të thjeshtë, si një ritual fetar primitiv, duke u vënë në provë të fortë me tensionin e trupit të tij nudo, brendshëm i nënshtruar një force të jashtëzakonshme, që duket sikur e mundon fakti nëse arti mund ta shndërrojë botën. Një pyetje që, pas derdhjes së gjakut në ngjarjet e fundit, merr akoma më shumë rëndësi.

Pranë është videoja “Through the Night Softly” (1973) e Chris Burden. Ekspozita “Onufri” është rasti më i mirë për t’i bërë homazh një prej artistëve amerikanë me një ndikim të jashtëzakonshëm në artin konceptual të viteve ’70, i cili ndërroi jetë pak kohë më parë, pak përpara hapjes së Bienales së Venecias. “Through the Night Softly” e implikon publikun në një sprovë ndjesish gjatë performancës sakrifikuese të Chris Burden, të zhveshur vetëm me mbathje dhe me duart të lidhura pas shpine, i cili përpëlitet sipër yjësisë së copave të xhamave të thyer. Është e famshme krisma e armës në fund të video performancës “Shoot”, vepër e cila e bëri të njohur Chris Burden, në të cilën arma e një miku e godet Chris në krahun e majtë të tij. Një sfidë me veten, që Burden e krahason me fundin pa fund të post-modernizimit të karakterizuar nga tmerri i sidës, rënia e Kullave Binjake, kriza ekonomike, kërcënimi i ISIS-it, revolucionet e majta të dështuara, të gllabëruara nga neo-liberalizimi. Krisma e armës është simbolikisht një plumb në zemër të sistemit. Vetëm bardhësia e mureve të Galerisë Kombëtare na jep të kuptojmë që nuk jemi në një poligon qitjeje në të cilën nuk është qëlluar ndaj artistit.

Pak më tej, në një hapësirë të veçantë zë vend vepra instalative e Yoko Ono-s, pionieres së artit konceptual, anëtare e rrjetit ndërkombëtar të artisteve, “Fluxus”. Duke i qëndruar besnike strategjisë së sjelljes së veprës në formë minimaliste, e natyrshme për një artiste që i përket kulturës “Zen”, Yoko Ono sjell një nga veprat e saj fotografike më të mirënjohura, “Season of Glass” (1981), vepër e cila i bën homazh dramatik vrasjes së John Lenon nëpërmjet syzeve të gjakosura të këngëtarit një ditë pas vrasjes së tij. Ndërsa në krah të syzeve qëndron një gotë gjysmë plot me ujë, me një dritare që shikon në sfond Central Park në New-York, duke përçuar mesazhin e besimit se paqja dhe dashuria mbeten rruga e vetme drejt një të ardhmeje të ndritshme dhe të ndryshme të njerëzimit. (Give Peace a Chance/ (Yoko Ono, John Lennon).

Në shkallët e brendshme të hapësirës së Galerisë Kombëtare të Arteve ku kohët e fundit janë zhvilluar performanca konceptuale apo shfaqje të dansit, projektohet një nga videot performanca më të vlerësuara të Marina Abramovi? dhe Ulay, “Balance Proof (1977). Kjo vepër paraqet një sprovë të brishtësinë së dashurisë, ku ashtu si në pjesën dërrmuese të performancave të Marinës me Ulain, trupi nudo bëhet subjekt dhe objekt i veprës. Marina dhe Ulai, të ndarë nga një pasqyrë që mbulon trupat e tyre dhe i pengon të shohin sho-shoqin, e lokalizojnë konceptin e performancës te raporti femër-mashkull, duke nxjerrë në pah dinamikat e dashurisë, mbështetjes reciproke, por mbi të gjitha edhe të pengesave dhe konfliktualitetit midis dy sekseve.

Pranë videos së Marinës dhe Ulait ndodhet “Stamps”, vepër e Tony Cragg, një nga skulptorët konceptualë më të rëndësishëm të kohës sonë, me dy skulptura minimaliste që nga tematika prekin një çështje madhore aktuale, atë të kufijve dhe emigracionit. Qelqi i derdhur në formë vule të shtrembëruar nga presioni i shtypjes, është vendosur qëllimisht në një nga ato tavolinat e vjetra që përdoret në rajonet e policisë. Pranë vulës ndodhen dhe dokumente të tilla si pasaporta, kërkesë për azil politik apo leje qëndrimi në gjuhën shqipe, duke ngacmuar vëmendjen e publikut shqiptar. Forca estetike e skulpturave të Tony Cragg qëndron në plasticitetin e lëndës, e cila kontraston me kompaktësinë dhe densitetin e materialit.

Në një hapësirë autonome në dysheme ndodhet një vepër instalative në formë slogani me titull “Impacted to the point of fusing sand into glass”, (viti 2010) e Laurence Winer, i cili së bashku me Joseph Kosuth është një nga pionieret e post-minimalizimit konceptual.

Teksti i printuar përshkruan me fjalë një proces, një strukturë, një material. Veprat e Laurence Winer përbëhen nga fraza, dhe kjo e bën të veçantë në raport me konceptin tradicional të artit. Çdo fjalë ka një kuptim të ndryshëm. Fjala bëhet vepër arti, e pavarur nga çdo relacion logjik apo ngjarje e veçantë. Vepra rezonon brenda dialektikës mes reales dhe abstraktes, të veçantës dhe universales, lokales dhe globales.

Në një hapësirë më vete të “Onufrit” janë ekspozuar dhe punët e gjashtë artistëve të rinj shqiptarë, Eros Dibra, Oltsen Gripshi, Shqipe Jonuzi, Sead Kazanxhiu, Ermela Teli, dhe duo Ermal Baboci/Lindita Doci, të përzgjedhur nga kuratorët për t’u ballafaquar me maestrot e artit. Perceptimi është sikur ndodhemi në një laborator ku çdo gjë është përzgjedhur artistikisht në mënyrë kirurgjikale.
Eros Dibra, artist i ri me përvojë piktorike, paraqet një video me një përmbajtje metaforike ku çdo formë gjykimi lihet e lirë. Epilogu dramatik i personazhit të videos simbolizon ëndrrën e parealizuar, duke e bërë urgjent më shumë se kurrë apelin migjenian për ‘na të birtë e shekullit të ri’.

Vepra simboliste e Gripshit, e përfaqësuar nga 2 vazo të qelqta në të cilat janë depozituar simbolet e identitetit kombëtar, bashkëjetesës fetare dhe historia. Shqipëria bëhet pjesë e kërkimit të tij artistik, duke nxitur një reflektim të thellë për sakrificat e së kaluarës, simbolikisht të përfaqësuar nga gjaku i ruajtur në epruvetë, për të tashmen me fenomenet social-politike dhe për të ardhmen me një shpresë pozitive.

Vepra e artistes kosovare Shqipe Jonuzi është, pa dyshim, një nga veprat më të fuqishme në aspektin social-politik. Dëshmitare e situatës së izolimit që po kalon vendi i saj, Jonuzi e shtrëngon veten e saj të performojë pa kompromis në një kuti xhami klaustrofobike, duke na bërë të përjetojmë emocionalisht atë që po përjeton një popull i tërë në këtë udhëkryq historik.

Artisti i mirënjohur rom Sead Kazanxhiu, në veprën e tij instalative “Reason for selection” sjell në vëmendje një këndvështrim të hollë të realitetit shqiptar, ku për arsye sociale apo psikologjike, ndërtohen mure të larta me copa të thyera xhamash në majë, për të mbrojtur territore, ndonëse paradoksalisht muret ndajnë një kulturë të përbashkët bashkekzistence.

Projekti i Ermela Telit “Wall” pasqyron Sead Kazanxhiun në koncept, por i shprehur në një formë tjetër estetike, nëpërmjet foto- instalacionit. Ermela Teli fikson copa xhamash në mure private dhe publike, duke e konsideruar me të gjithë respektin e vet. Koncepti i saj analizon një problematikë social-psikologjike e duke nxjerrë në pah ankthin e shoqërisë shqiptare të lidhur me dhunën. Krejt e veçantë për nga përmasat, konceptin dhe vendndodhjen është vepra minimaliste konceptuale e Klodian Dedës, “Bottle”. “Bottle” bëhet evidencë e një bukurie të thjeshtë, që edhe pse është një objekt mbeturinë e rëndomtë, pasi është përdor dhe konsumuar, simbolizon një shqetësim intelektual për një botë që pothuajse e ka zëvendësuar realitetin autentik. Ashtu e braktisur në hapësirën fizike të Galerisë, sugjeron një qëllim estetik ndryshe nga historia e saj funksionale.

Skulptura instalative “pa titull” (jo detyrimisht vepra duhet të ketë një titull) e duos Ermal Baboci/Lindita Doci ofron një shtresë kompakte qelqi jo si një element fizik, por më shumë si strukturë organike. Është një manifest poetik i qelqit që mund të përpunohet në mënyrë autonome, duke e bërë, pa dyshim, estetikisht tërheqës.

I ftuar special ishte dhe Armando Lulaj, një ndër artistët më të denjë të brezit të vet, i cili vjen fill pas përvojës me Pavijonin Shqiptar në Bienalen e Venecias. Në hyrje të Galerisë Kombëtare është vendosur një pllakë e trashë xhami antiplumb dhe në krah një foto me dimension të vogël me Obamën, i cili përdor mburojën e qelqtë antiplumb. I njohur për prirjet e tij që refuzojnë parimin e autoritetit, duke denoncuar me gjuhë konceptuale abuzivizmin e pushtetit politik ekonomik, Lulaj me veprën e tij nxit një reflektim për rolin e mediave në epokën globale. Politikat publike të cilat shpesh shkojnë në drejtimin e gabuar, dhe për të evituar këtë lipsen sjellje që nxisin besimin dhe nevojën për komunikim të përbashkët, të bërit dialog dhe jo dominim. Si i tillë, arti ka një rol të rëndësishëm në ngritjen e çështjeve që nxisin një shtrirje horizontale të sistemit të komunikimit social-politik.

Tema e edicionit të 22-të të “Onufrit” ngre pyetje mbi diferencat kruciale në sferën private, sociale dhe politike, nëpërmjet një koncepti të qartë artistik dhe vlerësimi konceptual të përdorimit të qelqit si element simbolik, duke hulumtuar domethëniet dhe interpretimet e veprave të artit në vetvete, rolin dhe ndikimin e tij në jetën bashkëkohore.

Për artistët e rinj shqiptarë merr një vlerë të madhe pjesëmarrja bashkë me ikonat e artit bashkëkohor botëror, duke shpresuar të promovojnë ide progresiste, si ato të artistëve konceptualë të viteve ’60-’70, në një shoqëri me prirje konformiste. Ka ardhur koha që arti shqiptar të vihet përpara pasqyrës nëse ka ndryshuar në fizionomi në raport me realitetin që e rrethon. Artistët e rinj duhet të prodhojnë vepra të cilat e kanë kujtesën të gjatë, në mënyrë që të interpretojnë ndërgjegjen e epokës sonë, si dhe të kenë aftësi kritike të prekin nervin e zhvillimeve shoqërore. Të mos kultivojnë utopi, por të bërtasin për atë që po ndodh nëpër botë. Në këtë proces historik institucionet qendrore të kulturës duhet të bëjnë rolin e vet, pasi ekspozita të standardit ndërkombëtar si kjo e “Onufrit” nuk realizohen me frymën e shenjtë, por kërkojnë mbështetje serioze financiare.
*Kurator
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb