TIRANË- Një reagim tjetër vjen pas përplasjes mes Presidentit të Republikës Bujar Nishani dhe shkrimtarit Visar Zhiti. Është botuesi Luan Pengili që këtë herë flet me gjuhën e dokumenteve duke ofruar një kartelë të autoriteteve në kohën e diktaturës ku thuhet se Zhiti nuk ka pranuar të bashkëpunojë.

Presidenti Bujar Nishani publikoi dje një mesazh të mbërritur në adresë tij nga një ish-i përndjekur politik me inicialet P.V. i cili thoshte se Visar Zhiti ka qenë spiun në burgun e Spaçit.

Vetë shkrimtari e ka quajtur shpifje ordinere këtë akuzë dhe të tjera deklarata të Kreut të Shtetit.
Botuesi Pengili publikon dokumentin “sekret” të cilin thotë se e ka marrë disa kohë më parë nga vetë shkrimtari.

REAGIMI I PENGILIT
Hedhja e shpifjeve në treg është bërë tashmë një nga dukuritë më të zakonshme në shoqërinë tonë, sa shpesh nuk mund të ndahet lehtë nga njëra-tjetra e vërteta dhe gënjeshtra.
Kur një person shpif, të njollos keq me epitete e ngjarje të paqena, kush mban përgjegjësi?
Shko drejt e në gjykatë, të vjen ndërmend veprimi i parë që mund të kryesh. I drejtë ky arsyetim – kjo është rruga që duhet ndjekur…

Por pas kësaj përgjigje, për fat të keq në vendin tonë të përndjek vetëtishëm pyetja e dytë! Për sa kohë do të zvarritet nëpër gjykata kjo shpifje?

Është i thjeshtë arsyetimi, sa të dalë në dritë e vërteta, shpifja e parë harrohet, duke ja lënë vendin një shpifjeje të dytë… e kështu, e kështu me radhë. Ndërkohë që njerëzit që nuk e njohin personalisht personin mbi të cilin është hedhur baltë, e kanë përthithur helmin e injektuar të shpifësit, duke bërë kështu të mundur arritjen e qëllimit të shpifësit të zi.

Kjo dukuri merr një rëndesë ende më të madhe negative, kur këtë e bën një president.

Visar Zhiti – spiun!
Zoti President, duhet patjetër ta vërtetoni bindshëm këtë emërtesë ndaj Visarit, që të t’ju hiqet sa më parë epiteti i shpifësit!

Para disa vitesh kam bërë një bisedë me Visarin mbi këtë temë. U zhvillua në një takin që ia kërkova me ngut, pas disa sinjalesh jo mirëdashëse për të (Visari informator), që filluan të qarkullonin pikërisht pas daljes së romaneve të tij biografikë “Rrugët e ferrit” e “Ferri i çarë”, botime të cilat morën publicitetin e faqeve të tëra të shtypit më të rëndësishëm të vendit.

Zhiti kartela

 

Midis të tjerave Visari më thotë që ka gjetur edhe dokumentin që ai refuzon në mënyrë kategorike bashkëpunimin me strukturat e sigurimit. Ja kërkova atë dokument e ai ma dha. E pyeta atëherë përse nuk e publikonte, por mora përgjigjen: “Njerëzit më njohin!”

Por sot Visar po të të them atë që ta kam shprehur atje, vite më parë: “Të njohin njerëzit, por nuk të njohin shpifësit!” Sot po e botoj këtë dokument!

Luan Pengili

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: