Një nga risitë e rëndësishme të sezonit të ri të “Abissnet Superiore” ka nisur të japë menjëherë rezultatet e para konkrete. Rregulli i ri i Federatës Shqiptare të Futbollit për aktivizimin e detyrueshëm të lojtarëve të rinj ka krijuar më shumë hapësira për talentet shqiptarë që të provojnë veten në elitën e futbollit vendas.
Sipas rregullores së miratuar nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, duke nisur nga sezoni 2026-2027, në kampionatin Abissnet Superiore dhe në Kupën e Shqipërisë, çdo skuadër do të ketë detyrimin të aktivizojë nga minuta e parë, për të paktën një pjesë loje, një futbollist të datëlindjes 2007 e në vijim, me pasaportë shqiptare.
Në javën e parë të kampionatit, kjo risi është shoqëruar me aktivizimin e 17 futbollistëve të rinj, duke dëshmuar që politika e FSHF-së për t’u krijuar më shumë mundësi talenteve shqiptarë po gjen zbatim konkret që në nisje të sezonit.
Por përtej shifrave, java e parë solli edhe protagonistë të rinj. Briajan Gjyla i Vorës, i datëlindjes 2007, u bë vendimtar në sfidën ndaj Dinamo City, duke shënuar golin e fitores në suksesin 1-0 të Vorës. Një paraqitje që e vendosi menjëherë në qendër të vëmendjes që në javën hapëse të kampionatit.
Gjyla, së bashku me Dion Vatën e Partizanit, një tjetër futbollist i ri i aktivizuar në javën e parë, u përzgjodhën në formacionin më të mirë të javës së parë të “Abissnet Superiore”, nga Drejtoria Teknike e FSHF-së.
Te Tirana u aktivizuan pesë lojtarë të rinj: Olti Qerimaj (2007), Mateo Maçi (2009), Aimar Bami (2008), Serxho Vogli (2008) dhe Serxho Prendi (2008).
Egnatia aktivizoi Reis Bakallin (2007) dhe Zyber Çullhajn (2008), ndërsa Teuta u dha hapësirë Ergis Arifit (2007) dhe Grei Kuqit (2008).
Në javën e parë minuta në elitë morën gjithashtu Sokol Uldedaj (2009) te Vllaznia, Spasian Nasto (2008) dhe Kleart Grazhdani (2007) te Skënderbeu, Dion Vata (2009) te Partizani, Klevi Ajazi (2008) te Laçi, Armir Borici (2008) te AF Elbasani, Skënder Meta (2007) te Dinamo City dhe Briajan Gjyla (2007) te Vora.
Këto të dhëna tregojnë edhe një tjetër element të rëndësishëm: klubet nuk po kufizohen vetëm te një grupmoshë e vetme, por po u japin hapësirë futbollistëve të lindur në vitet 2007, 2008 dhe 2009, duke krijuar një urë më të drejtpërdrejtë mes futbollit të moshave dhe nivelit të lartë.
Rregulli i ri është pjesë e strategjisë së FSHF-së për zhvillimin e futbollit shqiptar, rritjen e mundësive për futbollistët e rinj dhe krijimin e një baze më të fortë për ekipet kombëtare. Synimi është që talentet shqiptare të fitojnë eksperiencë, konkurrencë dhe minuta në nivelet më të larta, duke ndërtuar gradualisht brezat e ardhshëm të Kombëtares.
Java e parë e “Abissnet Superiore” tregoi se talentet e reja tashmë po marrin jo vetëm mundësinë për të qenë në fushë, por edhe hapësirën për të qenë protagonistë dhe vendimtarë për skuadrat e tyre.
