Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po e shënjestron Evropën në “ Strategjinë e re Kombëtare Kundër Terrorizmit ” të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, duke e përshkruar kontinentin si një “vatër kërcënimesh terroriste”. Dokumenti gjithashtu shënjestron “ ekstremistët e dhunshëm të krahut të majtë ”, ndërsa i kushton rëndësi të veçantë përballjes me organizatat islamike dhe ideologjinë që, sipas Uashingtonit, ushqen terrorizmin modern xhihadist.
Në dokumentin e ri strategjik, Shtëpia e Bardhë përcakton tre kërcënime kryesore për Shtetet e Bashkuara.
Këta janë “narko-terroristë dhe bandat ndërkombëtare”, “terroristë historikë islamistë” dhe “ekstremistë të dhunshëm të krahut të majtë, përfshirë anarkistët dhe antifashistët”.
Referenca ndaj “ekstremistëve të krahut të majtë” është një nga formulimet më të mprehta të tekstit, i cili pasqyron vijën e ashpër të ndjekur nga administrata Trump mbi çështjet e sigurisë dhe të politikës së brendshme.
Një pjesë e rëndësishme e strategjisë përqendrohet në organizatat që SHBA-të i konsiderojnë si eksponentë kryesorë të terrorizmit ndërkombëtar islamik.
Këto përfshijnë Al Kaedën, e cila ishte përgjegjëse për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, Al Kaedën në Gadishullin Arabik, Shtetin Islamik në Siri dhe Irak, dhe ISIS-Khorasan, dega aziatike e organizatës.
Teksti përmend gjithashtu Vëllazërinë Myslimane, të cilën këshilltari i Presidentit Trump, Sebastian Gorka, e përshkroi si “paraardhësen e organizatave moderne xhihadiste”.
Teksti i strategjisë kundër terrorizmit përfshin një referencë veçanërisht kritike ndaj Evropës dhe politikave të migracionit të zbatuara në kontinent.
“Është e qartë se këto organizata armiqësore të organizuara mirë shfrytëzojnë kufijtë e hapur dhe idealet e globalizimit me të cilat ato shoqërohen. Sa më shumë përhapen këto kultura të huaja dhe sa më gjatë të zgjasin politikat aktuale në Evropë, aq më shumë terrorizëm do të ketë”, thuhet në dokumentin e Shtëpisë së Bardhë.
Sipas Sebastian Gorkës, suksesi i operacioneve ushtarake kundër këtyre organizatave ka çuar në një kërcënim më të përhapur dhe më të vështirë për t’u zbuluar.
Ai përmendi si shembull sulmin me kamion në Ditën e Vitit të Ri 2025 në New Orleans.
Siç shpjegoi ai, strategjia e re amerikane tani synon të ndërpresë burimet e financimit të përdorura për të rekrutuar anëtarë të rinj.
«Ne duhet të dekurajojmë, duhet të dobësojmë dhe duhet të delegjitimojmë», tha Gorka, duke shtuar: «Ne e marrim ideologjinë shumë seriozisht».
