Në një lidhje Skype në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, administratorja e “Prestige Resort” Klesta Xhaferri ka folur për përgatitjet për pritjen e pushuesve vendas e të huaj, si dhe për paketat e leverdisshme që ofron “Prestige Resort” për klientët.

Ajo tha se vijojnë bashkëpunimet me operatorët e huaj dhe do përmbushet protokolli për sigurinë e pushuesve, si dhe përtej kostos do të ruhen çmimet e viteve të kaluara dhe do ketë paketa shumë të mira.

“Jemi në fazë përgatitore dhe rezervimet i kemi pjesërisht të konsoliduara. Me operatorët e huaj që bashkëpunojmë çdo vit, për momentin kemi një shtyrje të datave për më vonë. Nuk mund të flasim për humbje, por kjo situatë na ka goditur edhe ne pasi nuk mund ta krahasojmë me një vit më parë. Por jemi optimistë për muajt korrik dhe gusht, ku ka pushues vendas dhe turistë të cilët vizitojnë “Prestige Resort”. Kemi marrë suportin e qeverisë pasi ishim të prekur, morëm pagën e luftës për të gjithë punëtorët që kemi dhe deri në këtë pikë jemi të kënaqur. Përveçse kemi ruajtur çmimet kemi bërë edhe paketa të leverdisshme për të gjithë pushuesit. Padyshim që do të përmbushim protokollin e sigurisë së klientëve, një kosto e shtuar për plotësimin e të gjitha masave, për ruajtjen e distancimit social, kemi një pakësim të numrit të shezlongeve dhe tavolinave për të mbrojtur klientët”, -tha Klesta Xhaferri.

Administratorja e “Prestige Resort” Klesta Xhaferri dha një mesazh për të gjithë shqiptarët në këtë fillim sezoni turistik: “Pushoni në Shqipëri, ta ringrejmë sëbashku këtë krizë të përbashkët”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb