Eksperti i sigurisë Fatjon Softa ka reaguar pas videos që u bë virale, ku dy vajza adoleshente dhunojnë një bashkëmoshatare në Fier, ndërsa një tjetër e filmon ngjarjen. Sipas Softës, bëhet fjalë për një ngjarje shumë të rëndë që ka tronditur opinionin publik dhe që kërkon një hetim të plotë nga autoritetet.

Softa tha për emisionin ‘News24 Fundjavë’ të gazetares Megi Latifi se përgjegjëse janë disa hallka. Ai u ndal edhe te pretendimet se në ngjarje mund të jetë i përfshirë një efektiv policie, duke theksuar se nëse kjo konfirmohet, përgjegjësia është edhe më e madhe.

“Është shqetësuese kur brenda strukturave të Policisë së Shtetit ka individë që turpërojnë uniformën. Janë ngritur pretendime se polici është futur në kurth, por është detyrë e Policisë së Shtetit të zhvillojë hetime të plota për të zbardhur të gjithë ngjarjen dhe për të nxjerrë përgjegjësit para ligjit”, u shpreh Softa.

Eksperti theksoi se raste të tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, pasi shumë të rinj kërkojnë famë dhe vëmendje në rrjetet sociale duke publikuar akte dhune.

“Dhuna është kthyer në një formë provokimi dhe, për fat të keq, në një trend për të treguar dominancë brenda rrethit shoqëror. Kjo lidhet me moshën, edukimin në familje, neglizhencën, por edhe me mosfunksionimin e strukturave të shtetit, si shkolla dhe policia”, tha ai.

Softa shtoi se trajtimi i të miturve në raste të tilla duhet të respektojë standardet ligjore dhe psikologjike. “Është shumë e rëndë nëse marrja në pyetje e të miturve nuk kryhet në praninë e një psikologu, pasi bëhet fjalë për fëmijë që kanë nevojë për mbështetje profesionale gjatë gjithë procesit”, përfundoi eksperti i sigurisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: