Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Agjencia e Trajtimit të Pronave ka çelur procedurat për pranimin e kërkesave për kompensim financiar dhe fisk të pronarëve. Prej tri javësh pranë agjencisë janë depozituar një numër i konsiderueshëm kërkesash, mesatarisht 100 të tilla në ditë. Sektorët ku ka më shumë kërkesa janë sektori financiar, sektori i kompensimit dhe ai i shqyrtimit. Sipas ligjit në fuqi, të gjithë ish-pronarët që presin kompensimin nga Agjencia e Trajtimit të Pronave mund të marrin pjesë në ankandet që do të zhvillohen nga agjencia për shpërndarjen e fondit fizik. 26 mijë pronarët që kanë marrë një vendim për kompensim dhe 11 mijë pronarët që kanë dosjen në shqyrtim mund të plotësojnë formularët për të përfituar nga kompensimi fizik me ankand. Gjithashtu, edhe pronarët që kanë një vendim për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronës mund të aplikojnë për të përfituar nga pagesat e përshpejtuara. Burime nga ATP-ja bëjnë të ditur se pranimi i kërkesave ka nisur në datën 25.03.2016 dhe vijon.

Kompensimi financiar dhe fizik
Sipas formularëve-tip, mësohet se kërkuesi duhet të cilësojë faktin se kërkon kompensim financiar. Për plotësimin e dosjes duhet të paraqitet: Kërkesa për kompensim financiar/fizik, konfirmim nga ZVRPP-ja për gjendjen juridike të pronës, vërtetim nga gjykata nëse vendimi përfundimtar apo i vlerësimit të tij është ankimuar apo jo në rrugë gjyqësore, dëshmi trashëgimie nëse ka ndryshuar rrethi i trashëgimtarëve, prokurë e nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët, vërtetim numër llogarie, vërtetim nëse subjekti ka përfituar ose jo tokë bujqësore, dokument identifikimi dhe mandat pagese. Të njëjtat dokumente duhet të paraqiten edhe në rastin kur pronari kërkon kompensim fizik.

Llogaritja
Kompensimi për ish-pronarët për tokën truall, sipas zërit kadastral të vitit 1945 dhe hartës së vlerës së tokës që është në fuqi, do të kryhet me para. Kufiri i caktuar nga ligji është 50 milionë lekë për çdo vendim të njohur. Këshilli i Ministrave ka rregulluar me anë të një vendimi kufirin e pagesës në lekë dhe atë të kthimit fizikisht të pronës. Kështu, të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë truall, përfitojnë kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në masën 50 mln sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.133/2015, dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht, nga fondi i tokës. Neni 8, pika a e ligjit nr. 133/2015, për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave thotë se subjektet e shpronësuara u nënshtrohen procedurave të kompensimit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, bazuar në vendimet përfundimtare për njohje dhe kompensim financiar.

Dosjet me mangësi
Agjencia e Trajtimit të Pronave u lë afat 90 ditë të gjithë personave që kanë mangësi në dokumentacion të plotësojnë dosjen. Subjekti i shpronësuar, trashëgimtarët e tij ligjorë ose përfaqësuesi i tyre me prokurë, depoziton në Agjencinë e Trajtimit të Pronës, dorazi ose nëpërmjet postës, kërkesën e motivuar për njohjen dhe kompensimin e pronës, shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm. Dokumentacioni shoqërues, që vërteton pronësinë e subjektit të shpronësuar, përbëhet nga: 1. Dokumentacioni ligjor, ku përfshihet çdo dokument që vërteton të drejtën mbi pronën, dokumentacioni hipotekor, kadastral, arkivor etj.; 2. Dokumentacioni hartografik, që tregon pozicionimin e pronës; 3. Vërtetime për përfitim nga dispozitat ligjore për ndarjen e tokës bujqësore. Kushtet janë përcaktuar në ligjin për trajtimin e pronës dhe me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave. Sipas tyre, kërkesa e subjektit të shpronësuar, trashëgimta-rëve të tij ligjorë ose përfaqësuesit me prokurë, duhet të jetë sipas formularit-tip, bashkëlidhur këtij vendimi, për aplikimin e kërkesave për njohje e kompensim, i cili duhet të jetë i nënshkruar nga subjekti i shpronësuar ose përfaqësuesi i tij me prokurë. Formulari-tip përmban një paralajmërim, që ngarkon me përgjegjësi sipas ligjit subjektin kërkues, në rast të deklarimit të të dhënave të rreme apo depozitimit të dokumentacionit të falsifikuar.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: