Mes Barcelonës dhe Serie A, e ardhmja e Robert Lewandowskit është e gjitha për t’u vendosur. Fakti që në përfundim të këtij sezoni i përfundon kontrata, bën që Lewandowski të kthehet në një okazion për disa klube, mbi të gjitha në Serie A. Milan dhe Juve e kanë vendosur “bomberin” polak në majën e listës së dëshirave, por fjalën e parë pritet ta ketë Laporta pasi dëshira e Lewa-s është të qëndrojë të paktën edhe për një tjetër vit në Barcelonë. Nëse nuk arrihet një akord, atëherë super agjenti i tij Pini Zahavi do të përpiqet t’i gjejë një sistemim të ri.
Sipas TuttoSport, në këtë pikë, Juventus ka parakaluar Milan pasi “Zonja e Vjetër” ka në dorë ofertën më të mirë ekonomike. Gjithnjë sipas TuttoSport, Juve është gati t’i ofrojë 6 milionë euro kesh, plus bonuse të ndryshme.

E përditshmja italiane shkon edhe më tej duke zbuluar se Pini Zahavi do të jetë i pranishëm në “San Siro” këtë fundjavë për të ndjekur live super sfidën Milan-Juventus. Zahavi pritet të zhvillojë takime me përfaqësues të dy klubeve, më pas t’ia kalojë topin Lewandowski-t pasi do të jetë polaku që do të thotë fjalën i fundit në lidhje me të ardhmen e tij.
