Agresioni rus në Ukrainë ishte temë diskutimi në emisionin “Pikat mbi I”“News 24”. Analisti Artur Zheji, argumentoi se Lufta e III Botërore është afër, e për këtë renditi arsyet.

Sipas tij, Ukraina në koncept dhe ideologji e sheh veten më pranë Evropës, ndaj dhe pikëpamjet me Kremlinin janë të kundërta. Nga ana tjetër, analisti Fatos Lubonja theksoi se Rusia e sheh veten si superfuqi dhe mësymja në Ukrainë, sipas tij, është bërë për të konsoliduar më shumë këtë ide në sy të Perëndimit dhe botës.

Zheji: Në Evropë duket sikur është kthyer koha mbrapsht. Kemi kolona me tanke, qytete të shkatërruara, viktima civilësh dhe mbi të gjitha tentativat për të ndryshuar një shtet sovran me forcë. Duket sikur bota zuri mend nga Lufta e II Botërore. Por kemi një shok, janë vrarë kaq shumë evropianë. Kjo është pjesa traumatike. Pjesa e dytë është që asnjëherë tjetër kemi angazhim të përbotshëm me situatën e Ukrainës. Kemi shqetësimin e Biden. Kemi Stoltenberg, shefin e NATO-s që kanë patur qëndrim unik për luftën në Ukrainë. Kemi edhe Kinën që ka shprehur mbështetjen ndaj Rusisë. Kemi Indinë që s’e ka dënuar sulmin. Kemi Pakistanin. Mund të nisë një Luftë e III Botërore.

Lubonja: Bëhet fjalë për një Rusi dhe Kinë që pasi kanë humbur luftën e ftohtë duan të sfidojnë Perëndimin dhe një Perëndim që do të tregojë që është ai hegjemoni. E para është dështimi i Rusisë. Në kuptimin se në vend që Putini të ndërtonte një Rusi me ekonomi të fortë si Kina. Është një dështim në kuptimin e demokracisë, në shtetin e të drejtës. Atje është shteti i personit dhe oligarkia e lidhur me Putinin. Është një dështim i Ukrainës dhe këtu lidhet historia e Perëndimit. Edhe Ukraina s’është sistem i ndryshëm nga Rusia. Por në Ukrainë ka pasur disa persona, pro-rusë që ndërtonin sistem oligarkik dhe ka pasur edhe oligarki pro-perëndimore që ishte anti-ruse. Ka qenë një dinamikë e luftës për pushtet. Kjo është një luftë e Putinit. Ai për të kompensuar këto dështime, nxit nacionalizmit rus, shpenzon shumë në armatime dhe i thotë rusëve që ne që u poshtëruam nga Perëndimi s’jemi më. Luftën ai e fillon për të vendosur idenë e Rusisë si superfuqi. Ai ka shfrytëzuar një situatë ku një pjesë e Ukrainës është rusishtfolës dhe kryesisht filorusë që pas 2008 kur u bë një samit i NATO-s, ata thonë që ne mirëpresim Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Gjermania dhe Franca se kanë mbështetur idenë, por Putini që thoshte se na u afruat shumë tha ndal. Ai ka ushqyer idenë që ata janë superfuqi. Në këto periudha kemi lëvizjen e oligarkëve.

Zheji: Nëse Rusia do të ishte shndërruar në një pol atraktiv, me opozitarë jo në burg, me media të lira, padiskutim të ndodhte që Ukraina të ishte më afër me Rusinë. Modeli evropian është më atraktiv. Liria është e madhe. Modeli Evropian është frymëzues. Është tërheqës. Për këtë s’ka faj populli. Ky është dështimi i madh i Putinit. Ukrainasit sigurisht që zgjodhën si e gjithë republika të shohë nga Evropa. Shihni se cila është Bjellorusia, është një diktator. Shihni se çfarë është Kazakistani. Produktet e tyre qeverisëse janë të mjerueshme. Bëjnë shumë kulla të larta. Ukraina e ndjen veten në Evropën Perëndimore. Në këtë pikëpamje, nuk mund të sulmohet një shtetet sovran, sepse ata do të anojnë më shumë nga Perëndimi. Këtu është mëkati i parë. Ai kishte një precedent historik që u tolerua. Tony Bler i dha kondensoni shumë Rusisë sepse donte ta mbante aleate të fuqishme. Këtë e pamë edhe te SHBA me Trump. Ndaj themi që Lufta e III Botërore është afër në koncept.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb