Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka reaguar pas përjashtimit për 60 ditë nga punimet e Kuvendit të Gazment Bardhit dhe Klevis Balliut, duke e cilësuar vendimin si arbitrar dhe goditje ndaj demokracisë parlamentare.
Në një reagim në rrjetet sociale, Gjekmarkaj akuzon mazhorancën se po përpiqet të heshtë opozitën, në vend që të përballet me kritikat e saj. Sipas tij, vendimi erdhi pas miratimit të reformës territoriale, për të cilën ai pretendon se favorizon interesa elektorale.
Reagimi i Agron Gjekmarkajt:
Gjashtëdhjetë ditë për ti mbyllur gojën Opozitës!
Përjashtimi për 60 ditë nga punimet e Kuvendit i Gazment Bardhit, Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, dhe i deputetit Klevis Balliut, me urdhër politik të Edi Ramës dhe nën maskën e Komisionit të Etikës, është një akt i rëndë arbitrarizmi dhe një goditje e drejtpërdrejtë ndaj demokracisë parlamentare. Ky dënim dëshmon sa e lartë është kurba e frikes nga e verteta!
Pas seancës të së enjtes, ku u miratua reforma territoriale që fshiu nga harta 15 bashki, një hap me tej drejt shpopullimit dhe anarkisë administrative me qellime elektorale vetëm, mazhoranca zgjodhi të ndëshkojë zërat që e kundërshtojnë me shumë, në vend që të përballet me argumentet e tyre.
Përjashtimi i Gazment Bardhit, një prej zërave më të fuqishëm të opozitës, nuk është rastësi. Është frika e pushtetit nga fjala që denoncon skandalet e panumërta të kësaj qeverie, me emer me mbiemer , me detaje , me fakte tronditese. Po kështu, edhe përjashtimi i Klevis Balliut.
Kur pushteti nuk duron dot fjalën e opozitës, ai përpiqet ta mbyllë gojën e saj me urdhra dhe përjashtime. E bëjnë haptas , e bëjnë kaq trashë dhe pastaj flasin per integrim Europian. Kjo është logjika e “kapterr Babes” ! Provokim ndaj shoqerisë.
Kuvendi nuk është pronë e Edi Ramës as Shqiperia me shoqerinë e saj mes dilemash dhe as opozita nuk është një fasadë, një dekor , një cullufe që mazhoranca e heq sa herë i prishet qetësia.
Dënimi me 60 ditë nuk është thjesht një masë disiplinore. Është grabitje e kohës së mandatit, cenim i përfaqësimit të qytetarëve dhe një tentativë e rrezikshme për të shuar opozitarizmin brenda institucionit që duhet të jetë zemra e demokracisë.
Ai që duhet të ishte tempull ditë pas dite është shnderruar në qymez noterial për ligje e pseudoreforma adpersonam, per të veshur atë që është cullak, hajduterinë qe lulezon mbi rrenojat institucionale.
Një pushtet që i trembet fjalës, i trembet së vërtetës. Një mazhorancë që ndëshkon opozitën për ti mbyllur gojen , dëshmon dobësinë e vet dhe përbuzjen për pluralizmin.
Demokracia nuk mbrohet duke përjashtuar kundërshtarët, por duke u përballur me ta. Ne kete perballje ata vetem ngren kartonin dhe vrasin fjalen.
Asnjë komision etike nuk mund t’i e nuk duhet ti japë legjitimitet arbitrarizmit politik. Jetojme në një dekadence politike, në një kalbesire pushteti qe po ndyn çdo ind të jetes shqiptare!
