Presidenti i SHBA, Joe Biden ka deklaruar në një konferencë shtypi, se Presidenti rus, Vladimir Putin nuk duhet të jetë më në krye të vendit të tij.

“Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet,” tha Biden në përfundim të një fjalimi të mbajtur në Kështjellën Mbretërore në Varshavë.

Biden gjithashtu ka paralajmëruar homologun e tij rus duke thënë:

“Mos e mendoni të lëvizni asnjë centimetër në territorin e NATO-s. Forcat amerikane nuk janë në Evropë, për t’u përfshirë në konflikt me forcat ruse, ato janë këtu për të mbrojtur aleatët”.

Për Presidentin e SHBA, populli rus nuk janë armik dhe shtoi se nuk e mendon që ata mbështesin vrasjen e fëmijëve dhe gjyshërve të pafajshëm.

“Unë gjithmonë ju kam folur drejtpërdrejt dhe sinqerisht juve, popullit rus, më lejoni ta them këtë nëse jeni në gjendje të dëgjoni: Ju, populli rus nuk jeni armiku ynë. Unë refuzoj të besoj se ju mirëprisni vrasjen e fëmijëve dhe gjyshërve të pafajshëm ose se pranoni spitalet, shkollat, repartet e maternitetit – për hir të Zotit – të goditen me raketa dhe bomba ruse, “tha Biden.

Biden tha gjithashtu se veprimet e Putinit në Ukrainë nuk janë “veprime të një kombi të madh” dhe u bëri thirrje rusëve që ishin gjallë gjatë Bashkimit Sovjetik dhe dëgjuan për këtë nga familjet e tyre të flasin.

“Këto nuk janë kujtime të së kaluarës,” tha Biden. “Kjo është pikërisht ajo që ushtria ruse po bën në Ukrainë tani. Ky nuk është ai që jeni. Kjo nuk është e ardhmja që meritoni për familjet dhe fëmijët tuaj. Unë po ju them të vërtetën. Kjo luftë nuk është e denjë për ju, populli rus”, tha Biden.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb