NGA: Adelajda Xhamani
TIRANE-Një prej njerëzve që lobuan fort për dorëheqjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, pas skandalit të vjedhjes është zonja Ajtanga Lubonja. Ajtanga sot është 66 vjeçe, pensioniste dhe për shumë ditë me radhë është vendosur përpara parlamentit nga mëngjesi në darkë duke pritur qytetarët që të firmosnin peticionin.

Te kjo grua është ende gjallë shpirti rebel i rinisë së hershme. Thonë se vuajtja të bën pesimist e pa dashuri për jetën. Ajtanga është shembulli që vërteton të kundërtën. Pas një jete të mbushur me vuajtje, lodhje e varfëri ekstreme, ajo e do Shqipërinë e nuk do pranonte kurrsesi të largohej prej saj. I do njerëzit dhe e ka gjithmonë buzëqeshjen gati për këdo që i afrohet. Vajza më “e vjetër” e qytetit të të rinjve, rrëfen për “Gazeta Shqiptare” kalvarin e gjatë të vuajtjeve që e ndoqën nga pas deri në pleqëri.

Zonja Lubonja, pse jeni bërë pjesë e nismës për dorëheqjen e Fullanit? Pse kjo kauzë është kaq e rëndësishme për ju?
Do më quani plakë budallaqe, por më mallëngjejnë shumë njerëzit që janë përkushtuar për këtë kauzë dhe kryesorja, unë nuk i duroj dot padrejtësitë. Jam një njeri që kam vuajtur gjithë jetën prej padrejtësive dhe kam ndjerë nevojën të më mbështesin, të më mbrojnë. Sot e përgjithmonë unë do të jem e para ajo që do të rebelohem kundër padrejtësive e do të mbështes e mbroj shoqërinë e vendit tim.
Nuk mendoni se mbrojtja e shoqërisë është detyrë primare e politikës?
Unë shpirtërisht jam e djathtë dhe kam punuar shumë për të djathtën. Kam shkruar shumë për të këto vite, duke e idealizuar ashtu siç e mendoj unë. Por sot jam plotësisht e zhgënjyer.
Po pse jeni ende e djathtë kur ju kanë zhgënjyer?
Si ideal e kam të djathtën, por jo këtë që ekziston sot. Kanë filluar thonë këto ditë që jam bërë e majtë vetëm se kisha dalë në fotografi me Erion Braçen. Shiko çfarë botëkuptimi?! Po kështu janë njerëzit, kthejnë. Megjithatë, mendoj se me këta që janë sot në politikë, s’ka as të djathtë e as të majtë. Këtu nuk përcaktohet politika si vlerë për t’i shërbyer shoqërisë. Politika sot përcakton vetëm interesat.
A ka ndonjë politikan që e vlerësoni?
Unë Berishën e vlerësoj, më shumë jo si politikan, por si njeri i punës. I adhuroj njerëzit e punës. Këtu në Shqipëri po ndodh që 30 vjeç, punën e parë ta kenë ministër apo kryeministër. Ndaj them që e pëlqej Berishën, sepse ai e ka prekur punën. Ka qenë mjek i suksesshëm, ka shpëtuar jetë.
Kur jeni njohur ju me të?
Unë kam qenë atje në ‘Qytetin Studenti’ kur erdhën këta dhe u hap Partia Demokratike. Berisha m’i ka shpëtuar jetën dajës, djalit të Ismet Totos. Atë e futën në burg, erdhën e arrestuan në shtëpi për demek, tentativë arratisjeje. Berisha e shpëtoi. Ka qenë kardiolog shumë i zoti. Të kisha pasur unë vlerat e atij, nuk do t’i kisha hyrë kurrë politikës.
Dimë që keni pasur një jetë të vështirë dhe jeni përndjekur politikisht në kohën e komunizmit. Pse? Çfarë ndodhi me familjen tuaj?
Në vitin 1974 xhaxhai im, Todi Lubonja, shpallet armik i popullit dhe e fusin në burg bashkë me babain tim, Fatosin dhe burrin e hallës. Jashtë mbeti vëllai im 17 vjeç, Valeri, që ka qenë kryetar u sindikatës së Tiranës. Jashtë mbeti dhe vëllai i Fatosit. Të tjerët u akuzuan nga Enver Hoxha, i cili kishte krijuar në fantazinë e tij grupe armike. Pra, të tërë burrat e familjes u futën në burg. Unë isha e martuar dhe kisha një djalë 2 vjeç. Burri më la.
Ju la për këtë arsye?
Po. Unë padinë e kam ende. Aty shënon: Është bijë e filanit dhe unë s’mund ta mbaj për grua. Dhe fëmijën ia lë për rritje dhe edukim. Burri im vinte nga një familje shumë e mirë. Familja ime nuk mund të pranonte kurrë që unë të merrja një njeri të rëndomtë. Im shoq ishte Jorgon nga babai, ndërsa nga nëna ishte Kalakula. Gjyshi i tij ka qenë prefekt e ambasador, pra familje e ngritur. Më la pas tre vitesh martesë. Unë kam qenë gjithmonë rebele, ndërsa ai ishte natyrë e urtë dhe më vjen keq se djali i ngjet atij.
Çfarë moshe kishit atë kohë?
Jam martuar 21 vjeçe dhe kur isha 22 vjeçe e gjysmë linda djalin. Ish-burri im ishte vetëm një vit më i madh se unë.
Pasi u nda nga ti, ai krijoi familje tjetër?
Po, u martua.
Po ju pse nuk e krijuat më një familje të re?
Nëse do martohesha atëherë, do të merrja një njeri që me siguri duhet të kishte ndonjë cen në biografi që të më merrte mua.
Si arritët ta rrisnit djalin e vetme?
Me shumë vështirësi. Nuk më jepnin punë. Jepja gjak çdo dy muaj. Pastaj kam punuar te Bregu i Lumit. Më pickonin grerëzat e kur shkoja në shtëpi djali trembej. Fytyra më shtrembërohej nga pickimet grerëzave dhe ai më shihte e thërriste “Erdhi gaxhadurri”. Pastaj merrja djalin në krah dhe shkoja te dera e Komitetit të Partisë për të kërkuar punë.
Nuk kishit asnjë mik apo njeri të afërt që t’ju ndihmonte?
Kisha plot, por të gjithë kishin frikë. Pasi të ndodh kjo që më ndodhi mua, vetvetiu jeta të shkëput nga të gjitha aktivitetet.
Çfarë ëndërronit atëherë?
Të shkruaja… Kur ishe fare e re ëndërroja të martohesha, të lindja një djalë dhe të ndahesha për t’u bërë një gazetare e famshme. Këto dy të parat i realizova, kurse këtë të tretën s’munda dot s’e përfundova… Por asnjëherë s’kam ulur kokë. Kur u takova pas shumë vitesh me Liri Berishën, më tha: “Tani do të të vëmë dinjitetin në vend”. Unë i thashë: “Lil, asnjëherë s’e kam humbur dinjitetin e s’e kam ulur kokën poshtë”.
Ç’punë të tjera ju është dashur te bënit gjatë viteve për të mbijetuar e për të ushqyer djalin?
Ku s’kam punuar. Kam punuar në rrobaqepësi e nuk mbyllja dot normën. S’kisha fuqi. Në fillim më futën në një kurs 6- mujor pa rrogë. Kisha një fëmijë për të ushqyer e nuk kisha bukë. Ka qenë periudhë e tmerrshme. Atë pak bukë që kisha ia lija djalit dhe shkoja në punë pa ngrënë. Asokohe kishte ca cigare “Vullneti” dhe unë shkoja në një cep e ndizja një cigare që të mbysja urinë. Atëherë isha 26 vjeçe dhe peshoja 38 kile. Po puna në rrobaqepësi ra dhe unë nisa të qepja në shtëpi. Xhinset e punëtorëve, që ua jepnin për punë atëherë, i ktheja nga pjesa e bardhë e i bëja xhakovento. Jam lodhur shumë. Pastaj fillova punë pastruese te NTU e treshit. Vinin këto të rejat, drejtoresha Pëllumbesha Ago e të tjera më kalonin me baltë kur unë laja korridorin. Ose në holl kalonin njerëz e më pështynin. Atëherë kemi pasur një shkop druri si trekëndësh dhe i vinim një batanije të vjetër për të larë dyshemenë. Unë isha aq e dobët sa më merrte shkopi me vete. Pastaj filloi lëvizja demokratike dhe sigurisht që unë isha e para.
Çfarë kujtoni nga ajo periudhë?
Më kujtohet që vrapoja e më qëllonin. Filloi greva e studentëve. Atë ditë që rrëzuam bustin, nëpër hotele ka pasur ca sapunë të vegjël me të cilët unë kisha mbushur një çantë të vogël. Desha t’ua çoja grevistëve. Atje erdhi urdhri që do të zbrisnin poshtë dhe kur ecnim me turmën, pyesja policët që i njihja nga puna në hotel “mund të na qëllojë? – Po – më thoshin ata”. Kështu ishte situata edhe më dy prill, kur u hapën ambasadat.
Nuk e gjetët mundësinë të iknit jashtë?
Kisha mundësi që të ikja.
Po pse qëndruat?
Mbase do të ma quani për idealizëm ose do t’ju dukem e luajtur mendsh, po unë e dua vendin tim. Nuk iki dot nga Shqipëria. Tani djali im është martuar dhe ka një djalë e atyre u them “ikni sa më parë se këtu s’bëhet”, por vetë ama nuk iki dot nga ky vend.
Ku keni banuar me djalin?
Në vitin ’91, pasi fitoi Partia Demokratike, unë jetoja me mamanë, vëllanë dhe babain që doli nga burgu dhe pas një viti vdiq me kancer. Shkoj në ‘Qytetin Studenti’ ku drejtor ishte Gim Progni, i pari drejtor në pluralizëm. U tregua shumë i mirë dhe më dha një dhomë tek godina 13. Ishte një godinë specializante dhe si familjare, aty të kam hyrë unë e para. Ishte një dhomë tre me dy dhe unë s’kisha asgjë për ta arreduar, se i kisha shitur të gjitha për të mbijetuar. Drejtori i ‘Qyteti Studentit’ më dha tavolinë, karrige, gota, më dha dhe televizorin e zyrës së vet. Më dha dhe tre etazherë që i bëra bufe. Fatosi më fali një sustë. Gjithmonë Fatosi më jep krevate dhe tani krevatin ai ma ka dhënë. Kisha edhe një divan që ma falën. Ai nuk kishte këmbë dhe po të bëheshin 4 vetë, divani binte. Kështu e nisa jetesën e vetme me djalin në ‘Qytet Studenti’. Pastaj ç’bëja, blija një gjë dhe ia ktheja atyre ato ç’më kishin dhënë. Djali jetoi me mua deri kur u martua e u bë me fëmijë. Tani e ka djalin 8 vjeç. Unë jam maniake. Nuk kam blerë kurrë gjë për veten, por për dhomën derisa e bëra si shtëpi. I vura derë, dritare, i bëra instalime dhe pas shumë mundimesh, krijova një apartament të lezetshëm brenda konviktit. Hapa dhe banjën ekzistuese dhe rindërtova derisa sot e kam pjesën më moderne të shtëpisë, edhe me vaskë (qesh). Prej vitit 2005 më hoqën qiranë dhe më kanë premtuar disa herë që do më japin shtëpi dhe kurrë s’ma kanë dhënë, megjithëse ndërhyri edhe vetë Berisha.
Akoma në konvikt jetoni?
Po, në konvikt jetoj. Tani që erdhi në pushtet Partia Socialiste, thashë me vete mua do më nxjerrin që andej duke kënduar “Internacionalin”. Por nuk ndodhi për fatin tim të mirë. Tani drejtoresha e ‘Qytetit Studenti’ është Anila Shehu, një vajzë shumë e mirë që e dua si vajzën time. Kështu vazhdon jeta ime sot që jam gjyshe, në konviktin e ‘Qytetit Studenti’, në kërkim të së drejtës deri në fund.

(a.n/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb