Një aksident i rëndë është regjistruar sot në hyrje të Dimalit. Dy mjete, njëra Autoshkollë dhe tjetra fuoristradë “Benz ML” janë përplasur fuqishëm me njëra-tjetrën, duke u rrokullisur disa here në asfaltin e rrugës, ndërkohë që mjeti tip ML ka përfunduar në kanal.

Si pasojë e aksidentit janë plagosur rëndë instruktori dhe kursanti që ndodheshin në mjetin autoshkollë dhe pasagjerja që ndodhej në mjetin tip fuoristradë “ML”.

Të plagosurit janë transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve me plagë të shumta. Mjekët e Spitalit Rajonal Berat pohojnë se gjendja e dy prej tyre është e rëndë dhe mendohet t’i nisin drejt Spitalit të Traumës, për një mjekim më të specializuar.

Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie që po kryejnë këqyrjen e vendit të aksidentit të rëndë. Burime të policisë në vendngjarje bëjnë me dije se mjetet ishin duke udhëtuar të dyja në drejtim të Dimalit dhe ka qenë pikërisht mjeti tip fuoristradë “ML” që duke udhëtuar me shpejtësi skëterrë ka goditur nga prapa autoshkollën, e ka marrë zvarrë disa metra dhe në pas e ka nxjerrë nga rruga, duke përfunduar vetë në kanal.
Berat/Informacion paraprak

“Sot rreth orës 10:00, në aksin rrugor Berat-Dimal, në fshatin Moravë, janë përplasur dy automjete me drejtues shtetasit N.P., dhe A.T.
Për pasojë janë dëmtuar drejtuesi mjetit A.T dhe pasagjeri shtetasi J.Sh, si dhe pasagjerja në mjetin tjetër shtetasja P.P., të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Berat, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit”, njofton policia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: