Kryetarja e Autoritetit Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi u bëri thirrje gazetarëve dhe drejtuesve të medieve të mos transmetojnë pamjet e aksidentit tragjik të ndodhur sot në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër u plagos rëndë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Krasniqi tha se “kjo që po ndodh nuk është gazetari, është abuzim me dhimbjen njerëzore. Nuk është informim kur dhuna, tragjedia dhe fatkeqësia kthehen në uri për klikime”.

“Të “vrasësh” dhe rivrasësh, të ekspozosh plagë të hapura dhe të ushqesh publikun me ulërima dhimbjeje dhe tronditjen njerëzore, është shkelje e rëndë e etikës dhe e çdo standardi. Gazetarë dhe drejtues të mediave mbani përgjegjësi! Ju nuk jeni vetëm transmetues lajmesh – jeni formësues të ndërgjegjes publike. Çdo fjalë e papërgjegjshme lëndon, çdo titull i tepruar dëmton, çdo kufi i kaluar rrënon besimin te Ju”, nënvizoi Krasniqi.

Duke iu drejtuar medieve Krasniqi kërkoi të respektojnë dinjitetin, të mbrojnë viktimat dhe të ndajnë informacion, jo traumë.

“Nëse gazetaria humbet njerëzoren, ajo humbet gjithçka”, tha Krasniqi.

Si pasojë e aksidentit të ndodhur sot në Durrës, dy të mitur kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër është në gjendje të rëndë dhe ndodhet për ndihmë më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb