Policia e Tiranës ka arretsuar shtatë persona gjatë orëve të fundit, pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Mes të arrestuarve është edhe një 24-vjeçar, pasi ditën e djeshme, në rrugën “3 Dëshmoret”, duke drejtuar mjetin motor pa lejen përkatëse, ka aksidentuar këmbësoren shtetasen V. Z., 77 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.

Njoftimi i policisë:

Arrestohen në flagrancë 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, shtetasin E. P., 31 vjeç, pasi ka fshehur, ka tjetërsuar dhe ka vënë në përdorim një aparat celular që i përkiste shtetases M. K., edhe pse kishte dijeni se një person i njohur ia kishte vjedhur kësaj shtetaseje.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. D., 38 vjeç, pasi në rrugën “Shefqet Musarai”, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta tezen e tij. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Xh., 47 vjeç, pasi në bulevardin “Gjergj Fishta”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe i ka kundërshtuar ata me dhunë, për të shmangur shoqërimin e tij.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
V. G., 38 vjeç dhe A. C., 31 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur;
M. M., 18 vjeçe, pasi në Kamzë, në rrugën “Donald Trump”, u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse;
K. N., 24 vjeç, pasi ditën e djeshme, në rrugën “3 Dëshmoret”, duke drejtuar mjetin motor pa lejen përkatëse, ka aksidentuar këmbësoren shtetasen V. Z., 77 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb