Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen “Çelepias” në Berat. Një 47-vjeçare është përplasur nga një mjet që udhëtonte me shpejtësi në rrugë. Mësohet se gruaja, Anila Mishova ka qenë duke kaluar rrugën, në momentin që është përplasur nga 24-vjeçari Ferbent Hasantari që ishte duke drejtuar një mjet tip “Peugeot”.

E plagosura është transportuar fillimisht drejt Spitalit Rajonal Berat ku pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Mjekët e Spitalit të Beratit konfirmojnë se gjendja e gruas ishte kritike, ajo kishte marrë plagë të shumta në kokë e trup dhe për këtë arsye është transportuar me ambulancë drejt Tiranës.

Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie dhe ekspertë të policisë rrugore, që kanë kryer edhe këqyrjen e vendit të aksidentit, që paraprakisht mendohet të jetë shkaktuar nga shpejtësia e mjetit “Peugeot”. Burimet nga vendngjarja bëjnë me dije se fakti që në rrugë nuk duket asnjë shenjë frenimi tregon qartë se drejtuesi i mjetit nuk ka frenuar aspak në momentin e aksidentit.

Efektivët e policisë kanë arrestuar 24-vjeçarin Ferbent Hasantari, i cili ka rezultuar pa patentë për të drejtuar një mjet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: