Pas aksionit blic me urdhër të SPAK në disa qytete të vendit dhe lëshimit të 32 urdhër-arreste, mesditën e sotme, në orën 13:00, pritet që të ketë dhe një komunikim zyrtar nga kjo strukturë në lidhje me masat e sigurim arresteve që janë nxjerrë.

Dëshmia e Nuredin Dumanit dhe mikut të tij Henrik Hoxhajt, ka vendosur autoritetet në lëvizje dhe kanë firmosur në total 32 urdhër-arreste dhe 15 urdhër-kontrolle. Dumani, sipas gazetares Klodiana Lala ka zbuluar të dhëna të sakta për bosë të bandave kriminale në disa qytete të Shqipërisë, më konkretisht, Tiranë, Fier, Lezhë dhe Elbasan.

Deri tani janë arrestuar 10 persona, 2 prej të cilëve në Tiranë. Ndërkohë, urdhër-arreste janë lëshuar për Ervis Martinajn, Suel Çelën (në kërkim), Kamber Mehajn, Talo Çelën dhe Sokol Sanxhaktarin.

Ky i fundit ndodhet prapa hekurave i akuzuar për vrasje, mirëpo pas dëshmisë së Dumanit janë zbuluar implikime të tjera të tij. Sakaq, Dumani sipas gazetares Lala ka treguar detaje mbi një porosi vrasje. Sipas tij, një bos krimi, i kishte ofruar 100 mijë euro për vrasjen e një personi, por që ekzekutimi nuk u krye për arsye ende të paditura.

Sa i takon Dumanit, ai u arrestua pak kohë më parë në Fier, fill pas atentatit të dështuar ndaj tij. Ai u qëllua me breshëri plumbash pranë Elbasanit, por që arriti t’ia hidhte vetëm me një plagë në shpatull.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: