TIRANË

Një akt të paprecedentë që prish konsensusin e arritur me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e partnerëve strategjikë, vë në rrezik stabilitetin e vendit, si dhe dëmton seriozisht shanset e Shqipërisë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Kështu e cilëson opozita e bashkuar, miratimin në parim në komisionin e Ligjeve të nismës së 28 deputetëve të opozitës parlamentare për ndryshimet kushtetuese në ndryshimin e sistemit dhe eliminim të koalicioneve parazgjedhore, ndërsa dënon “tentativën e Edi Ramës për prishjen e Marrëveshjes së 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore”.

Në një deklaratë të përbashkët partitë opozitare jashtë parlamentit theksojnë se kurrë më parë nuk ka ndodhur që të ndryshohet Kushtetuta e Shqipërisë dhe rregullat e lojës së një gare elektorale në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus mes palëve pjesëmarrëse në zgjedhje.

DEKLARATË E KOALICIONIT OPOZITAR
Opozita e Bashkuar dënon me forcë tentativën e Edi Ramës për prishjen e Marrëveshjes së 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore. Ky akt i paprecedentë prish konsensusin e arritur me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe BE, vë në rrezik stabilitetin e vendit, si dhe dëmton seriozisht shanset e Shqipërisë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Ky veprim diabolik po kryhet vetëm për pushtetin personal të Edi Ramës dhe motivohet prej frikës së tij nga zgjedhjet. Ai dëmton rëndë interesat e qytetarëve shqiptarë, të cilët janë braktisur dhe tradhtuar nga kryeministri në ikje, duke i lënë të vetëm përballë krizës më të thellë të pandemisë dhe atë ekonomike që është pasojë direkte e dështimit dhe papërgjegjshmërisë së tij dhe qeverisë së tij.

Kurrë më parë nuk ka ndodhur që të ndryshohet Kushtetuta e Shqipërisë dhe rregullat e lojës së një gare elektorale në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus mes palëve pjesëmarrëse në zgjedhje. Ky provokim i ulët dhe sjellje tipike prej autokrati që ka frikë nga zgjedhjet e lira e të ndershme, synon të nxisë konflikt politik në vend në prag të zgjedhjeve të ardhshme, që janë kyçe për demokracinë dhe ecurinë e Shqipërisë në rrugën e saj europiane.

Opozita e Bashkuar ka informuar zyrtarisht gjatë ditës së sotme Presidentin e Republikës dhe partnerët tanë strategjikë për këtë akt të paprecedentë që acaron më tej klimën politike në vend dhe e fut Shqipërinë në një kurs zhvillimesh të paparashikueshme.

Opozita e Bashkuar ka qenë dhe mbetet plotësisht e angazhuar në përmbushjen e thirrjes së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel dhe Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi për kodifikimin pa ndryshime të marrëveshjes së 5 Qershorit, sa më shpejt në Parlament.

Paraditen e sotme, pas 2 orësh diskutime në një mbledhje të përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit, 16 deputetë votuan pro projektligjit, asnjë abstenim, kurse kundër ishte vetëm deputeti Adriatik Alimadhi.

Tashmë do të ketë edhe një tjetër votim për këtë projektligj në Komision pasi ky ishte miratim vetëm në pranim teksa vlen të theksohet se pro votuan edhe deputetë nga mazhoranca si Bashkim Fino, Alket Hyseni apo Klotilda Bushka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb