Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike ka folur në lidhje me mbylljen e kopshtit dhe kolegjit turk.

Ai u shpreh se ka kaluar ajo kohë kur vendimet për vendin tonë merreshin në Serbi e Turqi, madje akuzoi kryeministrin Rama se para atdheut vendos vjedhjen e pasurimin.

“Problematike janë relacionet poshtëruese me Erdoganin. Ne jemi forcë politike e interesit kombëtar dhe duhet ti themi shqiptarëve të vërtetat siç janë, kuptoj se ka qytetarë që interpretojnë si të veçantë qëndrimet e Erdoganit.

Por janë absolutisht në kundërshtim flagrant me miqësinë e bashkëpunimin mes dy vendeve sovrane.

I rikujtoj çdo shqiptari që kurrë nuk duhet harruar se kombi është i pari dhe jemi komb polireligjioz. Ata që tha feja e shqiptarit është shqiptari ishin besimtarë të zotit por e thanë se feja nuk duhet të na përçante. Në një anë kërkohet të emërohet kreu i Komunitetit Mysliman i cili në të gjitha statutet e komunitetit zgjidhet me votë. Tani na del se do na hapë e mbyllë shkollat kur të dojë.

Nuk ka akt më të turpshëm më të shpifur e poshtërues se të mbyllësh kopshte e shkolla se gjoja janë të lidhura me terroristë dhe puçistë në Turqi me të vetmin fakt që gjen një oligark të klientelës për të thënë se godinën e kam blerë unë.

I them Sinan Idrizin mos e bëj veten kështu e mos luaj me interesa kombëtare. Nëse Turqi do të respektojë Shqipërinë si vend sovran nuk do të ndikojë në mbylljen e shkollave. Këtë duhet t’ia them shqiptarëve kudo që janë. Nuk pranojmë individ si ky për të lejuar qe vendimet për ne të merren në Beograd e Ankara. Kanë ikur ato kohëra por ky nuk ka atdhe. I është përkushtuar vjedhjes e pasurimit çdo ditë”, tha Berisha.

Ndërkohë teksa ka folur edhe për hapjen e dosjeve, Berisha tha se PD është pro ligjit të lustracionit dhe se dy ditët e ardhshme do të dorëzohet në Parlament ligji i plotë për këtë qëllim.

Ai tha se Rama po kryen gjueti shtrigash me qëllim goditjen e kundërshtarëve politikë dhe PD është kundër kësaj.

“Rama në luftën politike po përpiqet të përdorë mekanizma ligjore për të goditur kundërshtarët politikë. Si u rikthye ideja e dosjeve me një proces gjuetari shtrigash ndaj një kundërshtari politik. Kemi votuar në parlament në ‘96 dhe 2008 ligjin për lustracionin, ligj që jo vetëm hapte dosjen për çdo funksionar por i jepte të drejtën çdo qytetari të njihej me dosjen e tij.

Një ligj tjetër për dënimin e gjenocidi i njeh të drejtën cdo shqiptari të padisë në gjyq persekutorin e tij. Rama e paditi ligjin në 2008 dhe e bllokoi me gjykatë kushtetuese. PD është kundër gjuetisë së shtrigave por është pro lustracionit. Dy ditët e ardhshme do të dorëzojmë të plotë në Kuvend ligjin për lustracionit. Të plotë jo me nene. Do ta dorëzojmë kemi qenë jemi e do të jemi për lustracioni por kurrë nuk jemi për gjah shtrigash për qëllime politike.

Nuk jemi dhe nuk mund të jemi kurrë për kontrolle jashtë qëllimit. Imagjinoni ju çfarë kërkojnë, të hapin dosjen e një fshatari që ka marrë nga toka e tij një bar të thatë apo thes me arra, e ka kap dhe e kanë keqtrajtuar dhe mund të ketë firmosur, Ai fshatar me dosjen e tij nuk mund të merret kush tjetër. Para çdo zgjedhje u thonin shqiptarëve se Berisha do t’u nxjerrë dosjet në Pazar për t’i tmerruar. Jo. Ai që është burgosur dhe keqtrajtuar ka të drejtë të gjejë persekutorin e tij. Rama kërkon të përdorë SHISH për të fabrikuar e terrorizuar qytetarët. Dënoj duke mbetur të vendosur për ligjin e lustracionit dhe që çdo qytetar të ketë të drejtë të shohë dosjen e tij, ne kundërshtojmë terrorin”, tha ai.

(BlakanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb