Aktivisti dhe protestuesi Florian Myftari ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që t’i bashkohen protestave, duke deklaruar se ndryshimi i vendit duhet të vijë përmes angazhimit qytetar dhe votës së lirë.
Duke folur nga protesta, Myftari iu drejtua atyre që sipas tij kanë humbur besimin dhe janë tërhequr nga jeta publike, duke u bërë thirrje të dalin në rrugë.
“Ju që jeni në shtëpi, që disa herë e keni humbur besimin, duhet të kuptoni se Shqipëria nuk është brenda shtëpive tuaja. Shqipëria është në rrugë, në institucione, në fusha, male dhe dete. Ky është vendi ynë. Prandaj protestoni”, u shpreh ai. Aktivisti akuzoi politikën për mosmbajtje të premtimeve dhe tha se qytetarët janë mbledhur për t’i dhënë fund, siç u shpreh ai, mashtrimeve ndaj tyre.
“Na erdhi fundi i durimit. Të gjitha këto premtime dhe shumë të tjera që nuk janë mbajtur, na kanë sjellë këtu për t’i thënë jo mashtrimeve të tyre. Ky vend është i yni dhe ka nevojë për ne më shumë se kurrë”, deklaroi Myftari. Ai theksoi se qytetarët duhet t’u tregojnë politikanëve se janë sovrani i vendit dhe se drejtimi i Shqipërisë duhet të përcaktohet përmes votës së lirë.
“Duhet t’i tregojmë kësaj politike se ne jemi sovrani në këtë vend. Kërkojmë dorëheqjen e kryeministrit më të korruptuar në vend. Do të vendosim ne, sovrani, me votë të lirë se si do të vijojë drejtimi i këtij vendi”, tha Florian Myftari.
