NGA: Klodiana Lala
TIRANE-Ish- kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika u lirua nga qelitë e paraburgimit me vendim të gjykatës për Krime të Rënda. Ish-zyrtari I dyshuar për abuzime me fondet e rrugës Tiranë-Elbasan, do të qëndrojë në arrest shtëpie, në pritje për tu përballur me gjykatën.
Argumenti kryesor për lehtësimin e masës, ishte gjendja shëndetësore jo e mirë e ish-zyrtarit të lartë. Gjithashtu avokati ka arsyetuar se ka ndryshuar edhe situata ligjore, për sa kohë që sipas tij janë kryer thuajse të gjitha veprimet hetimore dhe Dashamir Xhika nuk mund të ndërhyjë për të prishur provat. Edhe rrëzikshmëria shoqërore e të dyshuarit është konsideruar ulët.

Në këto rrethana, gjykatësja Ilirjana Olldashi firmosi për ndryshimin e masës nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Ish-zyrtari i lartë u vu në pranga bashkë me disa zyrtarë të tjerë në muajin shkurt, pasi dyshohej për akuzën e korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre lidhur me fondet e rrugës Elbasan-Gjinar. Gjykata për Krime të Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest me burG” për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Rrugëve dhe dy vartësit e tij, Albens Alite dhe Aksel Qurduka, të dyshuar për abuzime me fondet e rrugës Tiranë-Elbasan.

Sipas prokurorisë, tre zyrtarët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë bërë të paktën 12 amendime të kontratës fillestare, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej afro 50 milionë euro.
Skandali me fondet e rrugës që vazhdon ende sot të jetë e papërfunduar, u denoncua nga ministri Damian Gjiknuri. Në kuadër të hetimit ndaj Xhikës, në Prokurorinë për Krime të Rënda kanë dhënë shpjegime dy ish-ministrat e Transporteve nga radhët e LSI-së, Edmond Haxhinasto dhe Sokol Dervishi, ministri aktual Gjiknuri dhe mjaft zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: