KORÇE- Përgjegjësi i Sektorit të Strehimit në Bashkinë e Korçës ka përfunduar pas hekurave, pasi akuzohet për korrupsion. Ka qenë prokuroria e këtij qyteti ajo që ka urdhëruar arrestimin e zyrtarit Vasillaq Thimio. Pas hetimeve paraprake të Prokurorisë, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, e cila është zbatuar pasditen e së shtunës nga ana e forcave të Policisë së Shtetit.

DOSJA E PROKURORISE
Nga hetimi i deritanishëm rezulton se, fillimisht Vasillaq ka bërë një kallëzim, sipas të cilit është kërcënuar nga tre persona. Sipas kallëzimit, ai shprehet se këta tre persona tentojnë t’i marrin me pa të drejtë para, duke sajuar një histori, sipas të cilës ai u kishte marrë vite më parë një shumë të hollash një gruaje, në këmbim të klasifikimit si e pastrehë. Po sipas kallëzuesit, shtetasja D.K. e shoqëruar nga dy miq të saj, i ka kërkuar atij shumën prej 900 eurosh dhe 40 mijë lekë, për të cilat ata pretendonin se ia kishin dhënë Vasillaqit dhe ky i fundit nuk i kishte mbaruar punë shtetases D.K. Në versionin e tij të ngjarjeve, Vasillaq Thimio pretendoi se tre personat kishin tentuar ta merrnin edhe me forcë dhe ta hipnin në makinën e tyre.

Pas marrjes së kallëzimit, Prokuroria e Korçës pyeti tre personat, të cilëve u referohej kallëzuesi Vasillaq. Shtetasja D.K. deklaroi se, në vitin 2008, kishte aplikuar në Bashkinë Korçë për të përfituar një apartament si e pastrehë. Nga njohjet e saj, kishte mësuar se, për t;iu marrë parasysh aplikimi i saj, duhet të paguante një shumë parash tek Përgjegjësi i Zyrës së Stehimit, Vasillaq Thimio. Në atë kohë, shtetasja D.K., në shoqërinë e një personi tjetër, i kanë shkuar në zyrë Thimios dhe i kanë dhënë 900 euro dhe 40 mijë lekë të reja, me garancinë se do të përzgjidhej aplikimi i saj si e pastrehë.
Pasi muajt kalonin, shtetasja D.K. i kërkonte Vasillaqit që të mbante premtimin, për të cilin edhe kishte marrë shumën e parave. I dyshuari e ka përcjellë shpesh me garancinë se aplikimi i saj do të merrej parasysh shumë shpejt. Në vitin 2015, pas këmbënguljes së shtetases D.K., Vasillaq Thimio e kishte garantuar se do të merrte apartamentin. Por, në rrugë të tjera, shtetasja D.K. ka mësuar se shtëpitë për të pastrehët ishin ndarë dhe ajo nuk ishte ndër aplikimet fituese.

Në këto kushte, ajo, së bashku me dy shtetas të tjerë, i kanë shkuar fillimisht në afërsi të banesës dhe më tej në zyrë, ku i kërkonin shumën që D.K. i kishte dhënë Thimios në vitin 2008. Gjatë këtyre bisedave, ky i fundit nuk ka pranuar në asnjë moment se i ka marrë paratë. Por gjithësesi, duke qenë në dijeni se tashmë prokuroria po kryente hetime, në dt. 19.01.2016, ka shkuar, së bashku me një person tjetër, në banesën ku jetonte D.K. Shoqëruesi i Vasillaqit i ka dhënë D.K. diçka të mbështjellë me fletë gazete. Shtetasja D.K., e frikësuar se çfarë mund të kishte në atë letër të mbështjellë, i ka kërkuar personit që shoqëronte Vasillaqin, të hapte pakon. Brenda pakos gjendej shuma 60.000 lekë, e cila, sipas Vasillaqit, ishte shuma që i kishte dhënë.

Pasi i kanë dhënë pakon, janë larguar. Më pas, shtetasja D.K. dhe Vasillaqi kanë komunikuar në telefon, ku D.K. pretendon se shuma që i është dhënë Vasillaqit në vitin 2008 nuk është 60 mijë lekë, por më shumë. Nga këto biseda, krijohet dyshimi i arsyeshëm se Vasillaqi pranon që ka pasur shkëmbim parash, por nuk pranon që shuma është më e lartë se 60 mijë lekë. Në këto kushte, Prokuroria e Korçës krijoi dyshime të arsyeshme se shtetasi Vasillaq Thimio ka konsumuar veprën penale “Korrupsioni pasiv…”.”,

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: