*Takimi Bushati-Gentiloni-Dacic

TIRANE- Në kuadër të organizimit të takimit të dytë trilateral, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi një takim me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, Ivica Daçiç si dhe Ministrin e jashtëm italian, Paolo Gentiloni.
Pas takimit, tre ministrat kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp ku kanë folur për projektet dhe bashkëpunimin mes tre vendeve.

Ministri i Jashtëm italian ka folur edhe për artikullin e publikuar së fundmi nga Corriere TV, që e cilësonte Shqipërinë një bazë të xhihadistëve dhe rrezik terrorist për Europën. Gentiloni deklaroi se rreziku i mungesës së stabilitetit dhe radikalizmit është i pranishëm në vendet tona duke shprehur angazhimin për ta luftuar këtë fenomen. Gentiloni tha gjithashtu se disa realitete janë më në rrezik, ku ka një përqendrim më të madh të luftëtareve të huaj, por sipas tij nuk është rasti i Italisë, Shqipërisë apo Serbisë.
“Unë nuk jam në gjendje që të komentoj këtë çështje të fundit, ndoshta më ka shpëtuar. Por nuk do doja të përsërisja atë çka thashë. E dinë të gjithë se rreziku i mungesës së stabilitetit dhe radikalizmit është i pranishëm në vendet tona. Nuk është një rrezik që duhet ta konsiderojmë që i përket vetëm disa vendeve. Sigurisht ka disa realitete që janë më në rrezik, ku ka një përqendrim më të madh të luftëtareve të huaj, nuk është rasti i Italisë, Shqipërisë apo Serbisë, por i prek të gjithë. Jemi të angazhuar për luftën ndaj këtyre fenomeneve”, deklaroi ai.

Duke shkuar më tej, Gentiloni tha se të treja qeveritë janë angazhuar për të aprovuar norma ligjore më shtrënguese. “Raporti i radikalizimi dhe terrorizmi fenomeni i luftëtarëve të huaj, shqetësim i përbashkët për qeveritë tona. Është një temë për të cilën qeveritë tona janë të angazhuara duke aprovuar norma ligjore më shtrënguese. Është një realitet për të cilin asnjë vend nuk mund të ndihet imun. Është e rëndësishme një përgjigje e përbashkët që të përfshijë strukturat tona të sigurisë dhe inteligjencës. Është një vend ku bashkëjetojnë qytetarë të besimeve të ndryshme fetare që kanë një angazhim të rëndësishëm për luftën ndaj radikalizmit dhe që përbën një faktor stabiliteti në rajon. Të shqetësuar për këtë fenomen por përpiqemi të bashkëpunojmë në nivel qeveritar”, tha ai.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Bushati tha se Italia ka marrëdhënie të shkëlqyera si me Serbinë ashtu edhe Shqipërinë dhe si një vend themelues i BE-së, me peshë të konsiderueshme në politikën ndërkombëtare është një mundësi dhe një shans më tepër për Shqipërinë dhe Serbinë për të ndërtuar politika më produktive në procesin e integrimit evropian.
“Ne biseduam edhe për çështjet e sigurisë, krizat me të cilat përballet pellgu i Mesdheut dhe këtu kemi parasysh krizën e refugjatëve, nevojën e vazhdimit të përpjekjeve për t’i bërë ballë të gjithë komponentëve të terrorizmit dhe natyrisht lufta që bëjnë vendet tona për sa i përket ekstremizmit të dhunshëm”, tha Bushati.

Ministri i Jashtëm pohoi se në takim është folur edhe për zhvillimin ekonomik, duke shprehur vullnetin për forcimin e marrëdhënieve tregtare. “Gjithashtu diskutuam edhe për çështje të zhvillimit ekonomik. për dy vendet tona. Italia është partneri kryesor ndërkombëtar. Për Shqipërinë është një trend i konfirmuar në vite. Do dëshironim që ky trend të konsolidohej dhe marrëdhënia tregtare të forcohen më tej pasi besojmë se potenciali është më i lartë”, u shpreh më tej ai.

Bushati tha se është diskutuar edhe për disa nga zhvillimet më të rëndësishme me të cilat do të përballet rajoni.
“Samiti i Parisit dhe për rolin dhe përpjekjet e tItalisë duke qenë se Italia do të marrë stafetën e organizimit të procesit të Berlinit. Vijmë me disa projekte konkrete”, tha Bushati duke i lënë fjalën homologut të tij italian.

Nga ana e tij, ministri i jashtëm i Italisë Paolo Gentiloni, falënderoi ministrin Bushati për pritjen dhe bujarinë si dhe ministrin Daçiç. “Ky është takimi i dytë mes nesh. Vetë fakti që këto takime kryhen me sukses është konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera që kemi në të gjitha fushat. Ky përparim përbën një nga faktorët e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor”, tha Gentiloni.

Edhe për Serbinë Italia është partneri kryesor tregtar. Këtë e deklaroi Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili tha se Italia dhe Serbia kanë rënë dakord për një partneritet strategjik. “E rëndësishme që të kemi një komunikim reciprok. Është e rëndësishme që ti ngremë marrëdhëniet tona dhe ti bazojmë mbi interesat tona të përbashkëta. Të fillojmë të jemi një rajon jo vetëm si emër. Në të gjitha këto projekte ku marrim pjesë dhe në të gjitha strategjitë që kemi projektuar do të qëndrojmë pikë për pikë atyre që kemi rënë dakord”, tha Daçiç.

Ai tha se duhet të gjenden burimet financiare për projektet e rëna dakord. “Ne duhet të gjejmë burimet për të financuar projektet dhe për ti realizuar në praktikë. Sa i përket infrastrukturës rrugore, energjisë, kulturës, qoftë edhe për sfidat e sigurisë duhet të them se në 2015 ne patëm 600 mijë refugjatë që kaluan përmes Serbisë. BE nuk ka dalë ende me një përgjigje të unifikuar. Kanë bërë lëvizje të njëanshme dhe ka tashmë një rrugë përmes Greqisë, Maqedonisë, Serbisë e Hungarisë. Gentiloni na informoi për takimet që po zhvillohen në BE”, tha më tej Daçiç.

Ai kërkoi që të lihen mënjanë dallimet politike dhe të gjendet një emërues i përbashkët. “Do të donim që dallimet mes nesh për çështje politike t’i lëmë pas dhe të gjejmë një emërues të përbashkët. Mezi pres takimin në vjeshtë por me siguri do vazhdojmë me diskutimet dhe zgjerimin e marrëdhënieve tona. Nuk mjafton që ne të takohemi vetëm 1 herë në vit. Gjithsesi do përpiqemi të organizojmë edhe një takim të ministrave të energjisë, pasi kemi projekte të përbashkëta. Në fund më lejoni të theksoj se ishte kënaqësi e madhe të isha këtu sot, pres me kënaqësi takimin e ardhshëm dhe vazhdimin e procesit të Berlinit dhe konferencën e Parisit dhe jam i sigurt se do vazhdojmë me bashkëpunimin tonë”, tha ai.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç ka folur në Tiranë edhe për marrëveshjen e asociacionit, të cilën siç tha ai duhet ta zbatojnë të dyja palët. “Në fakt nuk e kam firmosur unë marrëveshjen. Por kjo marrëveshje ka të bëjë me gjithçka që u tha për të dyja palët, të jenë të dyja të përkushtuara. Komunitei serb është pjesë e rëndësishme e marrëveshjeve me BE, pres që në javët në vijim të zbatohet çdo gjë për të cilën është rënë dakord në BE. Ne besojmë se ky është formati i vetëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet”.

Ndërsa i pyetur nga gazetarja e News 24, Eglantina Alliaj se kur do të kenë mundësi të përfitojnë studentët e Luginës së Preshevës nga marrëveshja mes Shqipërisë dhe Tiranës për njohjen e diplomave, Daçiç tha se: “Vërtet shpresoj ta zgjidhim këtë çështje shumë shpejt”.

Ministrat: Të përmbyllen marrëveshjet për zhvillimin ekonomik
Më herët gjatë takimit, dy ministrat Bushati dhe Dacic diskutuan mbi ecurinë e raporteve dypalëshe në dritën e zhvillimeve me të fundit dhe të shkëmbimit të vizitave të dy Kryeministrave, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç. Ministrat evidentuan nevojën për konkludimin e marrëveshjeve të dakordësuara në parim në fushat e zhvillimit ekonomik, lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe arsimit të lartë. Palët vlerësuan hapat e kryera nga të dy vendet për konkretizimin e angazhimeve të marra në kuadër të procesit të Berlinit.

Në këtë takim, ministri Ditmir Bushati do të takohet me homologët e tij, Paolo Gentiloni e Ivica Daçiç. Kjo nismë u iniciua më shumë se një vit më parë dhe vijon takimin e parë trepalësh në nivel Ministrash të Punëve të Jashtme mes Shqipërisë, italisë dhe Serbisë, të zhvilluar në Romë, më 23 janar 2015. Ky takim synon shkëmbimin e pikëpamjeve dhe diskutimin e një sërë çështjesh të rëndësishme si për vendet tona ashtu edhe për rajonin dhe me gjerë.

Po sot, Bushati, zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës Italiane, Paolo Gentiloni. Gjatë takimit, të dy Ministrat diskutuan për agjendën evropiane të Shqipërisë, masat e vendeve anëtare dhe atyre kandidate për përballimin e krizës së refugjatëve, si dhe koordinimin më të mirë në përgjigjen ndaj sfidave të sigurisë. Dy Ministrat u ndalën në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, ku Ministri Bushati e falënderoi homologun Gentiloni për angazhimin e ndërmarrë për heqjen e taksës së transportuesve.

(ed.me/m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb