TIRANË

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka reaguar pas akuzave të ngritura nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, ndaj disa prokurorëve dhe gjyqtarëve në vend.

ILD thotë se do të shqyrtojë me seriozitet pretendimet e paraqitura, ndërsa shton se mosrespektimi i pavarësisë së magjistratëve në ushtrimin e detyrës së tyre, por edhe institucioneve të pavarura të drejtësisë, po kthehet në traditë, sa herë që publikisht kërkohet marrja e përgjegjësive.

“Për transparencë ndaj publikut, prioritet i punës së Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është shqyrtimi dhe vlerësimi me seriozitet, i të gjitha pretendimeve të paraqitura nga persona fizikë ose juridikë lidhur me veprimet, mosveprimet ose shkeljet e magjistratit brenda apo jashtë funksionit të tij, në ekuilibër midis parimeve të interesit publik për administrimin e drejtësisë dhe ndarjes së pushteteve.

Këto parime duhet t’i respektojë cdo institucion në vend, si standarde dhe vlera të një shoqërie demokratike dhe të garantimit të shtetit të së drejtës. Vendimet e magjistratëve nuk mund të bëhen objekt rishikimi apo diskutimi, nëpërmjet deklaratave publike jashtë sistemit të ankimit gjyqësor”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e ILD.

Njoftimi:

Inspektori i Lartë i Drejtësisë u njoh me deklaratat publike të ministrit të Brendshëm z. Bledi Çuçi, me anë të të cilave janë paraqitur pretendime lidhur me disa vendimmarrje të magjistratëve dhe rolit të ILD-së.

ILD konstaton me keqardhje se mosrespektimi i pavarësisë së magjistratëve në ushtrimin e detyrës së tyre, por edhe të institucioneve të pavarura të drejtësisë po kthehet në traditë, sa herë që publikisht kërkohet marrja e përgjegjësive.

Për transparencë ndaj publikut, prioritet i punës së Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është shqyrtimi dhe vlerësimi me seriozitet, i të gjitha pretendimeve të paraqitura nga persona fizikë ose juridikë lidhur me veprimet, mosveprimet ose shkeljet e magjistratit brenda apo jashtë funksionit të tij, në ekuilibër midis parimeve të interesit publik për administrimin e drejtësisë dhe ndarjes së pushteteve.
Këto parime duhet t’i respektojë cdo institucion në vend, si standarde dhe vlera të një shoqërie demokratike dhe të garantimit të shtetit të së drejtës. Vendimet e magjistratëve nuk mund të bëhen objekt rishikimi apo diskutimi, nëpërmjet deklaratave publike jashtë sistemit të ankimit gjyqësor.

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është e hapur për të pranuar nga çdo institucion ankesa në lidhje me sjelljen e magjistratëve.

Në rast të konstatimit të sjelljeve të cilat përbëjnë përgjegjësi disiplinore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë për sa ka vepruar deri më tani, në rastet kur ka konstatuar sjellje apo akte të cilat përbëjnë shkelje disiplinore ka propozuar marrjen e masave të nevojshme disiplinore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb