Drejtori i përgjithshëm i gjendjes civile, Bledar Doracaj ka folur në News24, rubrikën “Opinion” për akuzat e PD-së për ndryshimin e gjendjes civile të disa qytetarëve me bindje të djathta.

Doracaj i cilësoi të pavërteta, teksa sqaroi se janë dy koncepte të ndryshme të kodit civil, vendbanimi dhe adresa. Pra, sipas tij janë vendosur adresat e reja por nuk ka ndryshuar vendbanimi, çka do të thotë që nuk kanë ndryshuar as vendet e votimit.

“Për të sqaruar të pavërtetat që një subjekt politik këto dy ditët e fundit vazhdon t’i mëshojë pafund.
Kam vënë re një deklarim të një përfaqësuesi të PD ku pretendonte për ndryshime të gjendjes civile. janë dy koncepte të ndryshme të kodit civil, i pari është vendbanimi dhe i dyti adresa. Askujt në Republikën e Shqipërisë nuk i ndryshohet vendbanimi, atë që zoti Alibeaj e ka me merak, emri në listën e zgjedhësve pa pëlqimin, miratimin apo paraqitjen e qytetarëve në gjendjen civile.
Pas një procesi që ka filluar për krijimin e një sistemi të integruar adresash kemi filluar implementimin e tij në fund të dhjetorit 2019”, deklaroi Doracaj.

Ai tha se gjendja civile kërkon që çdo qytetar që nuk banon më në atë adresë, të paraqitet dhe të saktësojë vendbanimin e tij.
“Nuk mund të ecim më me 999 dhe 888, si i la qeverisja e kaluar ku gjysmë milioni ishin me këto adresa. Ne ju kërkojmë qytetarëve të saktësojnë adresat”, tha Doracaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb