Gjatë një paneli “Perspektiva Europiane e Ballkanit Perëndimor”, zhvilluar në Gjermani, kryeministri Edi Rama bëri edhe një deklaratë jo fort të zakontë në drejtim të stafit të ambasadës gjermane në Tiranë. Sipas Ramës, ata lëvizin pa rrip sigurimi.

“Korrupsioni është motoja, fjala kyçe që e dëgjoni përherë kur njerëzit flasin në gjuhë europiane për Shqipërinë apo vendet e Ballkanit Perëndimor, por dua të sigurohem që të kuptoni pikëpamjen time se të luftosh korrupsionin, në fakt, është të ndërtosh shtetin, të modernizohesh, është institucionet, është në fakt të krijosh sisteme, të cilat e bëjnë të pamundur që korrupsioni të ndërhyjë në jetën e përditshme të njerëzve.

Unë përmend gjithmonë një shembull me ambasadën gjermane në Tiranë. Disa kohë më parë, në Shqipëri ishte problem vendosja e rripit të sigurimit në drejtimin e automjetit, duke qenë se liria mund të vijë brenda një dite, por demokracia ka nevojë për më shumë kohë.

Kështu që, shqiptarët pas 50 vitesh kur nuk kishin asnjë pronë private, asnjë automjet privat, asgjë private morën automjetet e para private dhe në fakt, nuk ishin rehat të mbanin rripat e sigurimit, por shqiptarët që vinin në Gjermani dhe jetonin në Gjermani nuk e çonin as nëpër mend që t’i jepnin automjetit pa vënë rripin e sigurimit.

Kam parë pjesëtarë të ambasadës gjermane që i japin makinës pa rrip sigurimi në Tiranë, çka nënkupton që nuk ka të bëjë me njerëzit, por ka të bëjë me sistemin, ka të bëjë me institucionet, ka të bëjë me mjedisin ligjor që të jetë mbi gjithçka tjetër. Kjo është beteja”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb