Lidhjet e pushtetit me krimin e organizuar dhe prapaskenat financiare me kompanitë shtetërore kanë qenë në qendër të deklaratave të anëtarit të Partisë Demokratike, Gent Çela.
I ftuar në emisionin “News24 Fundjavë”, ai vlerësoi qëndresën qytetare dhe organizimin e diasporës, duke theksuar se protesta ka çmontuar propagandën shumëvjeçare të financuar me paratë e taksapaguesve.
Çela nënvizoi se reagimi opozitar i ka kaluar kufijtë e vendit, duke ekspozuar realitetin politik shqiptar në arenën ndërkombëtare. “E kam ndjekur protestën që në ditët e para, kur ajo protestë frymëzuese ka prodhuar një qëndresë fantastike. Në të gjitha shtetet evropiane, por edhe në SHBA janë prodhuar protesta të tjera nga shqiptarët që jetojnë në këto vende për të theksuar problemet serioze që Shqipëria ka. Protesta ka rrëzuar mitin e ndërtuar me miliona euro të shqiptarëve për të ndërtuar një fabul të përsosur të një kryeministri artist që qeveris Shqipërinë, por që është thjesht e vetëm si njeri i lidhur ngushtë me krimin e organizuar,” u shpreh ai.
Më tej, përfaqësuesi i opozitës bëri një krahasim mes strukturave shtetërore të përdorura në sectorin e Mbrojtjes dhe modeleve të organizatave kriminale ndërkombëtare. “Edhe rastet e fundit të publikuara për lidhjet e kryeministrit me mikun e tij izraelit dhe rasti KAYO është ashtu si kanë funksionuar organizatat italiane mafioze si Cosa Nostra etj. Ky kryeministër është i lidhur me krimin e organizuar dhe mënyra si mendon është thjesht korruptive dhe kriminale,” deklaroi Gentian Çela.
