Ish-drejtuesja e Kadastrës Durrës Rajmonda Dashi ka dalë sot para GJKKO-së për tu njohur me vlerësimin e masës së sigurisë.

Mësohet se GJKKO ka lënë në fuqi masën “arrest shtëpie” të dhënë më 24 tetor 2023. Dashi akuzohet se ka ndihmuar një grup kriminal për investimin në pasuri të paluajtshme në Shqipëri të parave të fituara nga krimi. Sakaq në pranga ra një bashkëpunëtor ndërsa masa “arrest në burg” u vu edhe për 2 vëllezër të dënuar në Belgjikë.

SPAK sqaron se Dashi bashkë me shtetasin në hetim A.M. kanë kryer veprime sistematike, të vazhdueshme të kundërligjshme me qëllim pastrimin e të ardhurave që kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal, nëpërmjet investimit në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.

Këto veprime janë kryer për llogari të dy vëllezërve, të cilët policia i çoi në pranga pasi rezultojnë të dënuar për trafik droge në Belgjikë.

Ndaj ish-drejtoreshës, rëndojnë disa akuza. Aktualisht, Rajmonda Dashi ishte emëruar specialiste për zonën e Vorës dhe Kamzës. Në dhjetor 2021, ajo dha dorëheqje të parevokueshme nga drejtimi i komanduar i Kadastrës së Durrësit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb