Partia Socialiste do të mbledhë nesër Asamblenë Kombëtare në Gjirin e Lalzit, në një moment të rëndësishëm për mazhorancën, e cila po përballet me zhvillime të tensionuara politike, protestat kundër qeverisë dhe përplasjet brenda vetë partisë. Vëmendja do të jetë te fjala e kryeministrit Edi Rama, por edhe te mënyra se si do të organizohet takimi dhe cilat figura do të jenë në qendër të vëmendjes.
I ftuar në “Zonë e Lirë”, analisti Flogert Muça komentoi mesazhet që, sipas tij, pritet të përcillen përmes kësaj mbledhjeje.
Sipas Muçës, vëmendje të veçantë do të marrë skenografia e takimit, përfshirë personat që do të ulen në rreshtin e parë dhe ata që do të përmenden në fjalimin e kryeministrit.
“Nesër Veliaj dhe Spiropali nuk do të përmenden fare”, deklaroi analisti, duke shtuar se në rreshtin e parë nuk pritet të vendosen figura të njohura politike, por emra të rinj dhe anëtarë të Asamblesë që nuk janë deputetë. Si shembull, ai përmendi Sara Milen, e cila sipas tij mund të jetë ndër personat e ulur në rreshtin e parë.
“Mesazhin e parë e ka dhënë Rama, thotë ‘jam këtu’. Do të shohim kush nuk përmendet dhe kush do të jetë ulur ku. Nesër Veliaj nuk do të përmendet fare dhe në rreshtin e parë nuk do të ulen figura dhe njerëz politikë, por do të bëhet një skenografi e kuruar. Në fillim mund të jetë e ulur Sara Mile, për shembull, të rinj dhe njerëz që janë pjesë e Asamblesë dhe nuk janë deputetë”, u shpreh Muça.
