TIRANË – Policia e Shtetit e mbështetur fuqishëm nga Avokati i Popullit, i ka bërë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë fort me të për të luftuar fenomenin e alarmeve false për bombë, që po ndikon psikologjikisht shumë jetën e qytetarëve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, deklaroi se “si fillim po mundohemi të bashkëpunojmë me qytetarët për ta eliminuar këtë fenomen nëpërmjet këtij sensibilizimi, por nëse masat me karakter social nuk do të japin efekt, patjetër që do shkohet në kërkesën për dënimin penal ndaj këtyre veprimeve.”
Didi u takua sot me Avokatin e Popullit, Igli Totozanin, pikërisht për të bërë një thirrje publike që qytetarët të njoftojnë për akte të tilla që shkaktojnë panik dhe ndikojnë psikologjikisht jetën e tyre.
“Me kërkesën e Avokatit të Popullit dhe dëshirën tonë për të bashkëpunuar, ne u takuam lidhur me sensibilizimin që duhet t’i bëjmë publikut për alarmet false të bombave që ndikon në perceptimin e rendit dhe të sigurisë publike, që na ka shqetësuar shumë dhe na ka bërë që ta vlerësojmë maksimalisht.
Ne nuk mund t’i lejojmë vetes që këto raste të mos i analizojmë. Por kjo jo vetëm se është një kosto materiale për Policinë, por është dhe një kosto psikologjike për të dhe për qytetarët. Kush sheh diçka, le t’i drejtohet Policisë, që ne ta eliminojmë edhe këtë fenomen që në fillim është i nxitur, por që më pas mund të kthehet në një lojë shumë më të madhe. I bëj thirrje qytetarëve dhe strukturave të Policisë të njoftojmë e të bashkëpunojnë për këtë situatë.”
Ndërsa Totozani nga ana e tij tha: “Sikurse edhe unë, do të doja t’i shprehja mirënjohjen Drejtorit të Përgjithshëm për bashkëpunimin shumë të mirë që kemi si dhe takimin e sotëm, transparencën. Ne jemi në dijeni që është një situatë që shqetëson dhe destabilizon jetën e qytetarëve që edhe pa këto, është me plot probleme dhe sfida. Këto sfida dhe probleme, që shqetësojnë, mbi të gjitha kjo situatë më ka sjellë këtu që të bisedoj me z.Didi dhe mbi të gjitha t’i siguroj z.Didi dhe gjithë forcës së Policisë, gjithë mbështetjen maksimale të Avokatit të Popullit dhe vlerësimin për punën e tyre.
Ne nuk jemi thjesht monitorues i Policisë, por kujdesemi edhe për sigurinë e qytetarëve. Nëse ka një armë për mbrojtjen e qytetarëve, ajo është Policia e Shtetit. Ne ftojmë të gjithë qytetarët shqiptarë që të bahkëpunojnë me Policinë që akte të tilla të marrin fund njëherë e mirë dhe garantojmë se ne do të jemi kurdoherë në mbështetje të Policisë së Shtetit.”
(ar.sh/BalkanWeb)
