Nga Ardian Kastrati

ALBIN KURTI QË NA SOLLI MALIN E ATOSIT

Kurti pas vrasjes së Afrim Bunjakut dhe aktit të agresionit nga Serbia merrej me zhdukjen e opozitës, me Presidentin Thaçi dhe me Edi Ramën, por jo me iniciativa diplomatike që do të synonin realizimin e objektivave tona shtetërore. Kjo sjellje tërësisht e papërgjegjshme ia mundësoi Serbisë të dalë e pa lagur pas agresionit të 24 Shtatorit. Kur Kurtit i ranë brekët poshtë këmbëve ai shkoi në Bruksel dhe u zotua për implementim të asociacionit (me bonuset autonomi për serbët dhe status juridik i veçantë për kishat serbe). Populizmi abuziv dhjetëvjeçar për Asociacionin me të cilin ky i manipuloi masat i shërbeu vetëm qëllimit të tij për të ardhur në pushtet. Fatkeqësisht, për qëllimin e ardhjes së tij në pushtet u desh të humbasin jetën disa shqiptarë. Diçka ngjashëm si në formën e “dëshmitarëve të mbrojtur” që të kamufluar synojnë t’i dënojnë njerëzit e UÇK-së në Hagë, Kurti i kamufluar me populizëm e dënoj Kosovën për dhjetë vite me radhë.

“Shumë broçkulla edhe u falën politikanëve, por pa kaluar kufijtë”
– Faik Konica

Albin Kurti për dhjetë vjet me radhë na shpalli të gjithëve tradhëtarë, i kalli institucionet, Kuvendin e shndërroi në poligon qitjeje për mjete luftarake, ndërsa sheshet i mbushi me gjak. Me retorika inflamatore (që vetëm kuzhinat e Beogradit i prodhuan gjatë historisë për t’i përdor mes nesh) e polarizoi shoqërinë duke mbjellë urrejtje maksimale mes shqiptarësh . Paralelisht, me militantizëm adoleshentësh krijoi një kontingjent të rinjsh që ushqejnë goxha mosrespekt për SHBA-në, pasoja këto afatgjate që do t’i vuajmë në të ardhmen.

Dhjetë vjet organizoi mini-revolucione në shesh kundër asociacionit, në të cilat kënaqej e zgërdhihej kur vëllai e godiste vëllain deri në përgjakje. Dhjetë vjet stimuloi e organizoi linçime të pista kundër atyre që çliruan vendin, atyre që kontribuuan shumë për konsolidimin e paqes për t’i hapur rrugë shpalljes së pavarësisë. Pamëshirshëm sulmoi dhe ushtroi terror psikologjik edhe ndaj fëmijëve të tyre.

Të nxitur nga fjalimet e tij plot me urrejtje, militantët e tij pa asnjë pikë morali sulmuan politikanë rrugëve edhe kur ata shoqëroheshin nga gratë e tyre. Në mënyrën më jonjerëzore goditën shtëpitë e politikanëve kur brenda tyre kishte fëmijë. Në fund, për kauzat e rreme të Kurtit, në kohë paqeje dhe pa asnjë nevojë, humbën jetën disa shqiptarë. Me lehtësi e gjakftohtësi shkeli edhe mbi gjakun e tyre të njomë. Ky, pra, është Albin Kurti. Ky është njeriu më i kobshëm në historinë bashkëkohore politike të shqiptarëve. Gjithë këtë hallakatmë e bëri kinse kundër Asociacionit për ta pranuar pas dhjetë vitesh jo vetëm Asociacionin, por edhe vetë-menaxhimin (autonominë serbe) dhe bonusin tjetër – STATUS TË VEÇANTË JURIDIK PËR KISHAT SERBE.

Gënjente paskrupullt se të gjitha dëmet i ka të trashëguara nga dialogu me të cilin udhëhiqnin qeveritë e kaluara, por për dallim nga Asociacioni, e vërteta është se KURRË nuk është diskutuar statusi i kishave serbe gjatë dialogut në të kaluarën. Kjo çështje lehtësisht ka mundur të rregullohet me Ligjin për Lirinë Fetare. Tani, Kisha Serbe do të bëhet shtet brenda shtetit tonë, ngjashëm me Malin e Atosit, etj. (sepse në marrëveshje thuhet sipas modeleve evropiane).

Po pra, Albin Kurti na solli Malin e Atosit në Kosovë. Të gjitha i bëri në funksion të plotësimit të egos së tij të sëmurë për pushtet. Si narcis i madh manifestoi egocentrizmin e tij ekstrem duke shkelur brutalisht mbi çdo vlerë, parim politik e njerëzor. Deri këtu dhe në emër të interesit të përgjithshëm, pa e amnistuar, ne mund t’ja ofronim edhe pak hapësirë nëse do të dinte ta kapitalizonte së paku aktin e agresionit të Serbisë më 24 shtator.

Por çfarë bëri ky?

24 vjet pasi për herë të parë çizmja serbe e uniformuar dhe rëndë e armatosur shkeli thellë në Kosovë (sepse gjatë qeverive të kaluara të uniformuar dhe rëndë të armatosur serbët nuk kishin hyrë kurrë) ky si mburravec e dogji edhe këtë mundësi të artë për Kosovën. U mundua ta grabiste punën që ia kryen shërbimet inteligjente ” naive” perëndimore, të cilat, përderisa ky ishte në gjumë, i informuan organet tona të sigurisë e të inteligjencës që Radojçiçi po vjen. Sa për të, Sveçlën, zuzarët e qyqarët e tij në VV dhe sa për mbetjet jugosllave të qeverisë së tij, dihet se si do ta pësonim.

Pas sulmit terrorist, ky e betonizoi edhe më shumë enklavizimin e Kosovës duke bërë “diplomacinë” me deklarata nga Prishtina. Pa asnjë vizitë bilaterale jashtë shtetit, siç thotë populli “bënte ve”, në Prishtinë me krejt kabinetin e tij. Nga rrjetet sociale e nga skutat nëpër Prishtinë kërkonte sanksione ndaj Serbisë. Me apo pa sanksione ndaj Serbisë, ne do vazhdojmë ta kemi një popullatë shumicë në veri që i saboton institucionet e Kosovës dhe aty do ta kemi edhe rrezikun nga terroristët e Radojçiçit, që u lanë të lirë me negociata politike.

Me reagime të tilla të padobishme prej një lideri në pubertet institucional, ky prapë dështoi me fatalitet që ta riorientojë strategjinë e dialogut në favor të Kosovës. Manipulimet me “njohjen de-fakto” janë bizare po aq sa vet politikat diabolike të Kurtit. Njohja de fakto ka ndodhur moti kur përfaqësuesit e dy shteteve qenë pajtuar për disa marrëveshje, si: marrëveshjen për pikat kufitare (IBM), marrëveshjen e drejtësisë, marrëveshjen e 2013-tës, etj., etj…..dhe ky është refuzimi që Kurti në konsistencë ua bën arritjeve të së kaluarës.

Sipas Anna Freud, refuzimi për të pranuar realitetin nga disa njerëz përdoret si mekanizëm mbrojtës. Pa dashur të bëj analizë psikologjike, më duket se ky përshkrim mjaft shumë i shkon Kurtit. Ai shpesh aplikon këtë mbrojtje primitive e të rrezikshme duke e shpërfill realitetin politik dhe për t’i kuruar ndjenjat e tij të dhimbshme që nuk i pranon dot.

Pas 24 shtatorit, nuk pamë asnjë iniciativë të qeverisë mediokre të Kurtit që Serbia të thirret për përgjegjësi penale në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Sulmi i 24 shtatorit përmbush kriteret si Akt i Agresionit sipas Statutit të Romës, sepse autori (Radojçiçi) ishte lider politik dhe provat ishin evidente se kishte planifikuar aktin në emër të shtetit të Serbisë. Duke i plotësuar këto kritere, ky sulm do duhej të kualifikohej si akt agresioni dhe si i tillë për nga mënyrat e ekzekutimit përbën shkelje të Kartës së OKB-së.

Nuk pamë asnjë intensifikim të përpjekjeve diplomatike në drejtim të shteteve mosnjohëse për ta shpjeguar nevojën imediate të kyçjes së Kosovës në Membership Action Plan (NATO – Partneritetit për Paqe), pas degradimit të situatës së sigurisë në veri.

Çfarë pamë ishin thumbimet foshnjore e primitive që Gërvalla me krenari ia bëri Macronit. E neveritshme dhe nën çdo nivel për një diplomate (për aq sa Gërvalla mund të quhet diplomate).

Çfarë dëgjuam ishte kërkesa e Kurtit për largimin e Lajçakut nga dialogu, por të njëjtit Lajçak i qëndroi gatitu pas një jave në Bruksel, ashtu siç i qëndronte gatitu stafetës së Titos gjatë viteve 1980-ta në rrugën ” Ramiz Sadiku” në Prishtinë. Tani i zënë në panik se humb pushtetin dhe përfundon si tradhtar , Kurti po i bën mashtrimet e radhës lidhur me (mos)nënshkrimin e Vuçiçit. E para, ky nuk i plotëson kriteret për ta quajtur tradhtar dhe s’ka pse brengoset për atë punë. Tradhtar mund të shpallet dikush që deri në një moment të caktuar i ka shërbyer Kosovës (ose të paktën nuk i ka bërë dëm Kosovës) dhe në një moment tjetër e ka dëmtuar Kosovën.

Ky që nga dita e parë kur i është rrekur angazhimit publik politik vetëm dëme i ka bërë Kosovës ( kujtojmë në 1999 ishte kundër Rambujesë, 2008 kundër Ahtisarit, 10 vjet përgjakje për asociacionin dhe tash që na solli Malin e Atosit). E dyta, ky e di që pavarësisht se nuk është nënshkruar, pranimi gojor i tij që i ka bërë marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit e bënë atë detyrim ndërkombëtar. Ka mjaft raste të tilla kur marrëveshja bëhet obligim ndërkombëtar edhe kur nuk është e nënshkruar. P.sh. Norvegjia dhe Danimarka ranë dakord të zgjidhnin mosmarrëveshjen e tyre mbi Grenlandën Lindore në atë që u bë e njohur si “çështja e Grenlandës” në Gjykatën e Përhershme të Drejtësisë Ndërkombëtare në vitin 1933. Norvegjia humbi dhe pas vendimit ajo braktisi kërkesën e saj.

Përveç kësaj, BE-ja ka sqaruar se dispozitat e Marrëveshjes (përfshirë Aneksin) janë përfshirë në Kapitullin 35-të për Serbinë dhe në agjendën e Grupit Special për Normalizimin për Kosovën. Kjo nënkupton se palët do të jenë të detyruara në mënyrë kontraktuese t’i zbatojnë dispozitat nëse dëshirojnë të bëjnë përparim drejt BE-së. Moszbatimi do të thotë ta braktisësh rrugën drejt BE-së.

Rrjedhimisht, mashtrimi i radhës i Kurtit kinse me mos nënshkrimin e Vuçiçit, ju dedikohet vetëm atyre që vet Kurti i ka quajtur analfabetë funksionalë. Ky është stili i njohur i tij, që me një pandershmëri gjysmë-intelektuale ta mashtrojë publikun çka edhe e karakterizon retorikën e tij në diskursin publik.

Mirëpo, nëse analizohen gënjeshtrat e tij të drejtpërdrejta, në retrospektivë shumë shpejt Kurti mund ta harrojë edhe këtë punën e (mos)nënshkrimit.

E mbajmë mend kur thoshte “Jo negociata/ Vetëvendosje”, pastaj i filloi negociatat, por tha pa Asociacion, së fundmi tha po edhe Asociacion, por jo pa nënshkrim të Vuçiçit. Kështu që në momentin kur merr edhe një kërcënim ta zëmë siç ishte i Macronit për vizat (edhe pse proceduralisht i pamundur) ky e gëlltit edhe mos-nënshkrimin e Vuçiçit. E kërcënime të ngjashme për rrugën e Kosovës në BE apo Këshill të Evropës mund të vijnë gjatë nëntorit, varësisht nga sjellja e Kurtit.

Të kthehemi aty ku mbetëm. Kurti pas vrasjes së Afrim Bunjakut dhe aktit të agresionit nga Serbia merrej me zhdukjen e opozitës, me Presidentin Thaçi dhe me Edi Ramën, por jo me iniciativa diplomatike që do të synonin realizimin e objektivave tona shtetërore. Kjo sjellje tërësisht e papërgjegjshme ia mundësoi Serbisë të dalë e pa lagur pas agresionit të 24 Shtatorit. Kur Kurtit i ranë brekët poshtë këmbëve ai shkoi në Bruksel dhe u zotua për implementim të asociacionit (me bonuset autonomi për serbët dhe status juridik i veçantë për kishat serbe). Populizmi abuziv dhjetëvjeçar për Asociacionin me të cilin ky i manipuloi masat i shërbeu vetëm qëllimit të tij për të ardhur në pushtet. Fatkeqësisht, për qëllimin e ardhjes së tij në pushtet u desh të humbasin jetën disa shqiptarë. Diçka ngjashëm si në formën e “dëshmitarëve të mbrojtur” që të kamufluar synojnë t’i dënojnë njerëzit e UÇK-së në Hagë, Kurti i kamufluar me populizëm e dënoj Kosovën për dhjetë vite me radhë.

Dhe gjitha këto maskarallëqe dalin i justifikojnë me retorika bajate zyrtarët dhe disa deputetë mjeranë të VV-së. Ata politikanë mjeranë që më së miri i përshkruante Churchil kur thoshte: “… para se të ngrihen për të folur, nuk e kanë idenë e asaj që do të thonë…ndërsa flasin nuk e kanë idenë se çka po thonë ….dhe kur ulën nuk e kanë idenë e asaj se çfarë kanë thënë “. Sojit të këtyre në garat ndërkombëtare të injorancës dhe idiotësisë s’ka kush që ua merr medaljen e artë.

Po të bëhej Asociacioni ashtu siç u projektua para dhjetë vitesh, pra pa kompetenca ekzekutive, me garancat e atëhershme të SHBA-së, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe letrën e Mogherinit si “roadmap”, sot, Kosova do të ishte pjesë e – Membership Action Plan të NATO-s, liberalizimi i vizave do të ishte harruar që moti, gjasat që serbët të integroheshin brenda institucioneve tona do të ishin më reale dhe Kosova do t’i numëronte investitorët e huaj, siç bëjnë sot kombet fqinje konkurruese të rajonit. Mbi të gjitha, ky popull nuk do të ishte i helmuar me urrejtje ndaj njëri-tjetrit për shkak që Kurti ju ka vendosur anestezion politik një pjese, duke e thjeshtëzuar çështjen ” a je me Kurtin apo me Vuçiçin?”.

Brenda këtij konteksti, jo pak faj kanë edhe ata që e kanë përkrahur verbërisht në këto veprime destruktive vetëm për inate të subjekteve tjera politike duke e lidhur fatin e Kosovës me fatin e Albinit, pra duke u udhëhequr me inati para arsyes.

Veprimet diletante, sjellja prej kauboji e Kurtit me fuqitë e mëdha dhe pranimi i marrëveshjes që e copëton Kosovën e ka sjell vendin tonë para dy opsioneve të këqija. Ta zbatojë këtë marrëveshje (të cilën unë e shoh si kamuflim për dorëzimin gradual dhe të paqësor të veriut te Serbia pa shkëmbim me Preshevën) ose në të kundërtën sanksione edhe më të ashpra për rrugën integruese të Kosovës për në BE dhe NATO.

Kjo nuk është për t’u çuditur, sepse e provuam që, për pushtet, Kurti është gjakftohtë në sakatimin e shtetit, ndërsa edhe puberteti i tij institucional nuk ka premtuar më shumë.

Kurti punën e parë e ka në moshën 40-vjeçare si deputet (në vitin 2013). Deri në moshën 40- vjeçare ka qenë i papunësuar dhe faturat ia kanë paguar mami e babi. Shto këtu faktin që është inatçor primitiv në politikë (armik me të gjitha partitë në Kosovë, armik me Edi Ramën, me Ali Ahmetin, me kryetarin e Preshevës, me SHBA, me BE, etj.) atëherë nga një tip si ky, këto dëme kolosale ndaj Kosovës kanë qenë të pritshme.

Dikush më tha se për këto arsye ky meriton të quhet bandit. Jo, ta quash Kurtin bandit është kompliment për të. Nëse asgjë tjetër banditët merren me të fortin, p.sh. ky Radojçiçin e la të lirë. Prandaj, ky është njeri i lig, sepse merret me të dobëtin, ta zëmë me dënime drastike për ndonjë çajtore apo gjelltore periferike për mosrespektim të ligjit të duhanit (nuk e arsyetoj thyerjen e ligjit, por u shërbeva sa për krahasim situatash).

Ndërsa, dikush tjetër më tha që shumë po merrem me Kurtin. Unë nuk po merrem me Kurtin për shkak të vlerave nominale që ai ka, por për shkak se inertet jugosllave si ky dhe disa të ngjashëm që i ka përreth po e përdhosin çdo arritje të 20 viteve të fundit. Nëse nuk ishte mirë gjatë këtyre 20 viteve, atëherë kur ishte më mirë në Kosovë…në kohën e Millosheviqit apo të Jugosllavisë? Pra, këta flasin sikur të tjerët e morën Kosovën si Zvicër më 1999 dhe e dorëzuan si Somali. Është krejtësisht e kundërta!!!

Sa për ilustrim ta bëjmë një krahasim. Edhe më pak se dy vite VV do ta barazoj me kohëzgjatje të qeverisjes PDK-në. Efektivisht me kryeministër të vetin PDK ka qeverisur 6 vite (2008 -2014). Gjatë këtyre 6 viteve në total kanë qenë afërsisht 8 miliardë euro buxhet në dispozicion me të cilat nën udhëheqjen e kryeministrit Thaçi janë ndërtuar autostrada, shumica e fshatrave janë bërë me rrugë, kanalizime e ndriçim publik, janë ndërtuar me qindra shkolla, spitale, universitete, janë ngritur rrogat e pensionet 100%, ka pasur boom të zhvillimit të sektorit privat, janë arritur mbi 100 njohje, është harruar gjeneratori, sepse është rregulluar furnizimi me rrymë 100%, etj., etj.

Albin Kurti vetëm në dy vitet e fundit ka pasur në dispozicion 7 miliardë euro. Le të dalë dikush të identifikojë sot 1 a 2 projekte të mëdha apo rritje rrogash në ato vlera gjatë këtyre dy viteve. ZERO. Përkundrazi, me ligjin e ri të pagave shumë kategorive ua janë zbritur rrogat. Kjo qeveri ka ndërtuar një urë 5 metra në fshatin Staradran dhe 4 çerdhe, ende të papërfunduara në nivel Kosove. Kaq!

A ka pasur mundësi të bëhet më mirë në qeverisjet e kaluara? Ndoshta po, por sa më mirë….apo ndoshta ka mund të ishte edhe më keq!

Po sot kah u avulluan 7 miliardët e Kurtit për dy vite, që thotë populli “pa e qit një tullë diku”. Është evidente, në njërën anë gjakderdhja financiare përmes aferave korruptive si p.sh. ato milionëshe në KEK, me rezerva shtetërore, etj. si dhe në anën tjetër papërvoja e kësaj qeverie për të realizuar projekte e punë të mira.

Me portrete e profile ministrash që nuk njihen për ndonjë zotësi të veçantë, që janë poshtë mesatares , kjo është qeverisje mediokriteti.

Kështu që kur këta, sot nuk kanë për të prezantuar projekte të prekshme ose projekte që nuk kanë aftësi për t’i bërë, atëherë mediokritetin e zëvendësojnë me propagandë e demagogji, të cilës i besojnë vetëm kokëtulët dhe trushpërlarët.

Gjithmonë flasin me mbiemra cilësor dhe gjithmonë të gatshëm e kanë gishtin (për të gjetur fajtorin), gojën (për populizëm abuzues e retorika boshe) dhe popullin si referencë.

Edhe këtu kur thirren në emër të popullit gënjejnë për t’i mashtruar masat. Nuk i kanë pasur 51% të popullit, por 51% të atyre që kanë dalë në zgjedhje.

Në zgjedhjet e fundit:

Numri i qytetarëve me të drejtë vote: 1,851,927
Numri i qytetarëve që kanë votuar: 903,386
Përqindja e pjesëmarrjes së votuesve në nivel vendi: 48.7%

Numri i qytetarëve që nuk kanë votuar: 948,541
LVV e votuan: 438,335
Partitë tjera i votuan: 433,461

Pra, janë më shumë se gjysma e atyre me të drejtë vote (948.541 qytetarë) që janë subjekti më i madh politik në vend që ditën e zgjedhjeve kanë ndenjur nëpër shtëpitë e tyre e s’e kanë votuar as pozitën e as opozitën. E ky është manipulimi kur këta thonë se kemi 51% të popullit.

Kështu pra, Kurti në mungesë të punëve që nuk i shihen vazhdon t’i sulmojë ata të cilëve punët ju shihen. P.sh. këtë vit Shqipëria e “tradhëtarit ” Edi Rama ka pasur 7 milionë turistë ( jo vetëm në bregdet, por turizëm malor, kulturor, etj.), kurse Kosova ndoshta ka pritur 7 turistë.

Çdo javë ka lajme për investitorë të huaj në Shqipëri. Këtë javë RyanAir hapi fluturime për 18 destinacione të reja nëpër botë prej aeroportit të Tiranës, duke shtuar fluksin e udhëtarëve edhe për 1.6 milion e duke u bërë aeroporti me më së shumti fluturime në rajon.

Kjo nuk bëhet rastësisht, por me politika e vizione të qarta. Kurti ka ardhur në pushtet pa ide e pa vizione të qarta prandaj boshlleqët duhet t’i mbush me gënjeshtra, kopalla e përralla. Përderisa ka të tillë që ia besojnë, ai s’e ka ndërmend t’ju zbresë nga shpina as në tatëpjetë.

Unë, pra, nuk po merrem me Kurtin si Kurt, por me veprimet e tij duke u munduar të kontribuoj për t’i dhënë drejtimin e merituar këtyre veprimeve siç p.sh. instinkti higjienik u jep drejtimin e duhur ujërave të zeza. Me sanksione ndaj Kosovës, me dëmtim të marrëdhënieve me partnerët tanë perëndimorë, me pranimin e marrëveshjes për autonominë e serbëve dhe status të veçantë për kishat serbe, me përçarje me shqiptarët në Shqipëri, Maqedoni e Preshevë, me degradimin e ekonomisë dhe varfërimin e qytetarit, asnjë politikan më shumë se Kurti nuk ia ka bërë qejfin Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë.

Po të ishte gjallë Dobrica Çosiç do të ndihej kogja i relaksuar se sa e pajetueshme po bëhet Kosova për shqiptarët këto dy-tri vitet e fundit nën qeverisjen e Kurtit.

Ata që realisht janë të mashtruar duhet të kuptojnë se populizmi dhe “pandershmëria intelektuale” përdoren pamëshirshëm nga Kurti vetëm me qëllim të ruajtjes së pushtetit. Me teknologjitë e reja të komunikimit, ky populizëm gjen aplikim masiv dhe bëhet fatal për qytetarët. Jo më kot, Aristoteli i kishte porositur bashkëqytetarët e tij: “Bëhu një mendimtar i lirë dhe mos prano çdo gjë që dëgjon si të vërtetë. Bëhuni kritik dhe gjykoni atë që do të besoni”.

Ne jemi brezi më i pafat, që vetëm 20 vite pas luftës pa dëshirën tonë, jetuam epokën e Kurtit, epokën e errët, që herë ngjan në tragjedi e ndonjëherë edhe në komedi.

Si i tillë, Kurti e qeverisja e tij do mbahen mend vetëm si dështim historik. Por, kjo nuk është brenga. Çështja është si ta minimizojmë dëmin që mos të kalojë kufijtë e të pariparueshmes ashtu që pasardhësit tanë mos të befasohen me gropën që ju lanë si trashëgim pararendësit e tyre debilë!/ Deputet i PDK, Adrian Kastrati

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: