Për më shumë se një shekull, media profesionale është zhvilluar mbi një parim themelor: informacioni që arrin te publiku kalon përmes një procesi editorial të identifikueshëm. Pas tij ekziston një zinxhir – nga gazetari dhe redaktori, te redaksia dhe subjekti mediatik – që përzgjedh, verifikon, ndan dhe vendos mënyrën e publikimit të informacionit. Kjo përgjegjësi nuk ka qenë vetëm juridike, por edhe një marrëveshje besimi me publikun: dikush ka zgjedhur lajmin, ka vlerësuar burimet, ka vendosur titullin dhe kontekstin dhe, nëse standardet cenohen, mund të mbahet përgjegjësi. Pikëërisht ky model po transformohet. Në mjedisin digjital, përvoja informative ndërmjetësohet gjithnjë e më shumë nga sistemet e rekomandimit, renditja, profilizimi dhe modelet algoritmike që përcaktojnë çfarë bëhet e dukshme dhe çfarë jo. Inteligjenca Artificiale gjeneruese shton një dimension të ri: sistemet teknologjike mund të prodhojnë tekst, zë, figurë e video, të cilat më pas shpërndahen përmes të njëjtave arkitektura algoritmike. Kështu lind një pyetje që prek thelbin e së drejtës dhe etikës së medias: a mjafton ende koncepti tradicional i përgjegjësisë editoriale për të garantuar transparencën, pluralizmin dhe besimin e publikut?
Nga portierët e informacionit te administruesit e vëmendjes
Historia e medias mund të lexohet edhe si historia e kontrollit mbi qarkullimin e informacionit. Në modelin tradicional, redaksitë ushtronin funksionin e njohur si “gatekeeping”: përzgjedhjen, filtrimin dhe prioritizimin e informacionit përpara se ai të arrinte te publiku. Teknologjia nuk ka ndryshuar domosdoshmërisht rregullin e përgatitjes së lajmit në redaksi, por dukshëm ka transformuar mënyrën e shpërndarjes dhe dukshmërinë e tij. Thënë ndryshe, platformat nuk vendosin çfarë lajmi duhet të prodhojë një redaksi, por ndikojnë në mënyrë rrënjësore se cili lajm i shfaqet një audience të gjerë, cili rekomandohet dhe cili humbet në fluksin e përmbajtjeve. Nga gatekeepers – portierë të informacionit – po kalojmë drejt një mjedisi të administruar nga attention keepers: sisteme që drejtojnë vëmendjen e publikut.
Ky dallim është thelbësor. Nëse media tradicionale konkurronte kryesisht për audiencë dhe besueshmëri, ekonomia e platformave konkurron për kohën, angazhimin dhe të dhënat e përdoruesit. Informacioni nuk renditet gjithmonë sipas rëndësisë publike, por edhe sipas aftësisë për të prodhuar klikime, komente, shpërndarje, kohë shikimi dhe rikthim të përdoruesit në platformë. A do të thotë kjo se algoritmi është redaktor? Në kuptimin juridik dhe profesional, jo! Ai nuk ka përgjegjësi editoriale, nuk zbaton kod etike, nuk kërkon lajme, nuk verifikon burime dhe nuk gjykon interesin publik. Megjithatë, sistemet algoritmike prodhojnë pasoja të ngjashme me disa vendime editoriale: rendisin lajme e video, rekomandojnë përmbajtje, shtojnë ose kufizojnë ekspozimin dhe personalizojnë përvojën informative.
Siç vëren studiuesi i medias dhe komunikimit digjital Tarleton Gillespie, algoritmet luajnë rol gjithnjë e më të rëndësishëm në përzgjedhjen e informacionit që konsiderohet relevant për ne. Prandaj pyetja tradicionale “Kush e shkroi ose e publikoi këtë lajm?” plotësohet sot nga një tjetër: “Kush vendosi që unë ta shihja pikërisht këtë lajm?”
Pra vërtet algoritmi nuk e zëvendëson redaktorin në prodhimin dhe verifikimin e informacionit, por mund të funksionojë si një lloj redaktori i shpërndarjes. Dhe në një mjedis ku shikueshmëria përcakton ndikimin, vendimi mbi shpërndarjen është po aq i rëndësishëm sa ai për publikimin.
Algoritmi nuk është neutral
Shprehja “algoritmi vendosi” krijon përshtypjen e një procesi teknik dhe objektiv. Por algoritmet projektohen nga njerëz e organizata, trajnohen mbi të dhëna dhe optimizohen për objektiva të caktuar, si koha e shikimit, ndërveprimi apo parashikimi i interesit. Prandaj, koherenca matematike nuk garanton neutralitet shoqëror, kulturor ose demokratik. Studiuesja Taina Bucher e përshkruan këtë përmes konceptit të “shoqërueshmërisë së programuar”: marrëdhëniet online organizohen nga infrastruktura teknologjike dhe zgjedhjet teknologjike kanë pasoja mbi dukshmërinë, pjesëmarrjen dhe fuqinë e zërave të ndryshëm. Kur një sistem favorizon përmbajtjen që provokon reagime të forta, objektivi mund të jetë rritja e angazhimit, por pasoja mund të prekë tonin e debatit publik dhe mënyrën si përhapen narrativa të caktuara. Ndërsa José van Dijck, Thomas Poell dhe Martijn de Ëaal e përkufizojnë shoqërinë e platformave si një ekosistem “të drejtuar nga algoritmet dhe të ushqyer nga të dhënat”. Përmbajtja kalon përmes sistemeve të personalizimit dhe renditjes që marrin parasysh historikun, ndërveprimet dhe interesat e parashikuara të përdoruesit. Dy qytetarë mund të hapin të njëjtën platformë në të njëjtën orë dhe të përballen me realitete informative të ndryshme.
Personalizimi ndihmon orientimin në fluksin e informacionit dhe u jep mediave të vogla, gazetarëve të pavarur apo krijuesve lokalë mundësi të arrijnë audienca të reja. Por i njëjti mekanizëm mund të fragmentojë hapësirën informative: publiku mund të mos ekspozohet më ndaj të njëjtave fakte dhe temave. Këtu sfida nuk është kundërshtimi i personalizimit, por kuptimi i kritereve të tij dhe i pasojave për pluralizmin dhe debatin demokratik publik. Dy përmbajtje audiovizive të ngjashme në të njëjtën platformë mund të kenë shtrirje krejt të ndryshme – nga disa qindra në miliona shikime. Në median lineare, diferenca lidhej kryesisht me vendimin editorial dhe pozicionin në programacion; në platforma ndikohet edhe nga koha e publikimit, ndërveprimet, kohëzgjatja e shikimit, audienca dhe sinjalet e sistemit të rekomandimit. Cilësia editoriale mbetet e rëndësishme, por nuk përcakton e vetme shtrirjen. Këtu lind tensioni mes logjikës editoriale dhe asaj algoritmike: redaksia mund të prioritizojë interesin publik, ndërsa algoritmi përmbajtjen që mban më gjatë vëmendjen. Kush e ndërton, në këtë rast, hierarkinë reale të informacionit?
Nga përgjegjësia editoriale te përgjegjësia sistemike
Legjislacioni europian nuk e ka shpallur algoritmin redaktor dhe as e ka zëvendësuar përgjegjësinë editoriale me atë teknologjike. Por evolucioni nga Direktiva për Shërbimet Mediatike Audiovizive (AVMSD) te Akti për Shërbimet Digjitale (DSA) dhe Akti Europian për Lirinë e Medias (EMFA) tregon zgjerimin e fokusit: nga përmbajtja dhe subjekti që e publikon, edhe te arkitektura e shpërndarjes, moderimi, sistemet e rekomandimit dhe rreziqet sistemike. AVMSD e lidh shërbimin mediatik me përgjegjësinë editoriale, pra me kontrollin efektiv mbi përzgjedhjen dhe organizimin e programeve. Rishikimi i vitit 2018 e zgjeroi fushën edhe te platformat e shpërndarjes së videove, të cilat nuk ushtrojnë përgjegjësi editoriale klasike mbi përmbajtjen e përdoruesve, por e organizojnë atë edhe përmes mjeteve automatike. DSA nuk i trajton platformat si redaktorë të çdo përmbajtjeje të përdoruesve, por pranon se dizajni dhe funksionimi i tyre mund të prodhojnë rreziqe që nuk shpjegohen duke parë vetëm një postim apo video. EMFA vendos në qendër pavarësinë editoriale dhe pluralizmin. Në marrëdhënien media–platforma, neni 18 parashikon garanci procedurale për ofruesit mediatikë përballë disa vendimeve të platformave që kufizojnë ose pezullojnë përmbajtjen e tyre.
Pra AVMSD, DSA dhe EMFA janë një përgjigje e avancuar ndaj transformimit të medias, por jo domosdoshmërisht përfundimtare. Ligji mund të kërkojë transparencë mbi sistemet e rekomandimit, por kompleksiteti algoritmik nuk përkthehet lehtë në shpjegime të kuptueshme për çdo qytetar. Efektiviteti varet nga cilësia e auditimeve, qasja në të dhëna dhe kapacitetet e autoriteteve. Transparenca, gjithashtu, nuk është e njëjtë me llogaridhënien: të dish se një sistem optimizon angazhimin nuk mjafton pa mekanizma për të analizuar dhe korrigjuar pasojat.
Sfida e medias profesionale dhe roli i rregullatorit
Transformimi algoritmik nuk e bën të panevojshme redaksinë, përkundrazi, e vendos atë përpara përgjegjësive të reja. Media profesionale duhet të ruajë standardet edhe kur përmbajtja përshtatet për platforma. Presioni për klikime, reagime të menjëhershme ose formate të favorizuara nga sistemet e rekomandimit nuk duhet të zëvendësojë interesin publik. Njohja e logjikës së platformës është e nevojshme, por nuk nënkupton nënshtrim ndaj saj: një lajm mund të formatohet pa humbur saktësinë, një titull mund të jetë tërheqës pa qenë mashtrues dhe një video e shkurtër pa e shkëputur faktin nga konteksti. Sfida është të përdoret teknologjia, pa lejuar që kriteret e saj të bëhen kodi etik i medias. Kjo vlen edhe për autoritetet rregullatore, të cilët duhet ta zgjerojnë mënyrën si e kuptojnë mjedisin audioviziv. Monitorimi i përmbajtjes mbetet i domosdoshëm, por nuk mjafton për të kuptuar si një material arrin te publiku dhe si amplifikohet ai. Rregullatori nuk duhet të kontrollojë çdo vendim algoritmik, por mund të ndihmojë në ndërtimin e një mjedisi ku përgjegjësitë janë të identifikueshme, mekanizmat e ankesës funksionojnë, respektohen të drejtat e përdoruesve, mbrohen të miturit dhe media profesionale ruan pavarësinë. Gjithashtu edukimi mediatik është një investim afatgjatë dhe sot duhet të zgjerohet drejt edukimit algoritmik. Krahas pyetjeve tradicionale për autorin, burimin, verifikimin dhe dallimin mes lajmit e opinionit, qytetari duhet të pyesë edhe pse po i shfaqet një përmbajtje, çfarë mund të ketë ndikuar në rekomandim, cilat këndvështrime mund të mungojnë dhe nëse materiali është autentik apo i gjeneruar artificialisht. Qëllimi nuk është që qytetari të bëhet programues, por të kuptojë se përvoja e tij informative është e ndërmjetësuar dhe se ajo që shfaqet në ekran nuk përfaqëson domosdoshmërisht tërësinë apo rendin objektiv të realitetit.
Kohët kanë ndryshuar, informacioni dhe përgjegjësitë gjithashtu. Përgjegjësia editoriale nuk ka qenë kurrë vetëm identifikimi i personit që miraton publikimin e një lajmi. Ajo lidh informacionin dhe pushtetin që ai përfaqëson me detyrimin për të dhënë llogari. Transformimi teknologjik nuk e zhbën këtë parim, thjeshtë e bën më kompleks. Algoritmi nuk është redaktor, por ndikon mbi funksione që dikur kryheshin kryesisht nga redaksitë: përzgjedhjen, renditjen, përsëritjen dhe dukshmërinë. Sfida nuk është t’i atribuohet teknologjisë një përgjegjësi që nuk mund ta mbajë, por të mos lejohet që organizatat dhe njerëzit që projektojnë, përdorin e kontrollojnë sistemet të fshihen pas kompleksitetit të tyre.
Nëse modeli tradicional i medias e ndërtoi përgjegjësinë editoriale rreth pyetjes:
“Kush e publikoi këtë përmbajtje?”
sfida e epokës së platformave është t’i përgjigjet një pyetjeje po aq themelore:
“Kush vendosi që kjo përmbajtje të arrinte tek unë?”
Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje do të ndikojë jo vetëm në evolucionin e përgjegjësisë editoriale, por edhe në mënyrën se si shoqëritë demokratike do të mbrojnë pluralizmin, lirinë e shprehjes dhe besimin e publikut në epokën e algoritmeve dhe inteligjencës artificiale.
