TIRANË- Aleanca e Grave Deputete, zhvilloi analizën vjetore të 2014-ës dhe trajtoi strategjinë e punës për këtë vit, në një tryezë të posaçme me mbështetjen e UN Woman dhe OSBE-së.

Në hapje të takimit kryetarja e Aleancës, Mesila Doda falënderoi dhe vlerësoi si qenësor, kontributin e çdo deputeteje në përmbushjen e axhendës së punës gjatë viti të kaluar.

“Kjo Aleancë me frymën e bashkëpunimit, përtej ndasive partiake, i ka dhënë një fytyrë të re parlamentarizmit dhe politikës shqiptare. Ne po përcjellim mesazhin e bashkëpunimit për çështje jetike, një model i munguar mes kolegëve tanë burra”, tha Doda.

Një nga drejtimet kryesore të axhendës me ardhjen e fushatës elektorale, do të jenë orientimet dhe inkurajimi i grave në strukturat partiake për të garuar në zgjedhjet e pushtetit lokal.

Në këtë pikë kryesia e Aleancës dhe deputetet e tjera kërkuan mbështetje edhe më të gjerë të organizmave ndërkombëtarë në bashkëpunim me shoqërinë civile, që të lobojnë pranë lidershipit të partive politike, në mbështetjen e grave dhe vajzave për përfshirjen në listat e kandidatëve zgjedhorë.

Doda i kërkoi deputeteve të bëhen avokate të përkushtuara, të çdo kauze për të drejtat e grave dhe vajzave  dhe promovimit të tyre në vendimmarrjen brenda dhe jashtë politikës.

Aleanca, si një grupim i rëndësishëm parlamentar ka organizuar vitin e kaluar një sërë aktivitetesh dhe ka ndërmarrë nisma ligjore të cilat kanë  kulmuar me  ndryshimet e paraqitura në Kodin elektoral për 40% të pjesëmarrjes së grave në Kuvend dhe në Këshillat bashkiake, si dhe në luftë kundër dhunës ndaj gruas.

Në diskutimet e analizës vjetore, deputetët theksuan nevojën e një koordinimi më të shpeshtë mes tyre të aktiviteteve në terren, si dhe në njohjen zyrtare si grupim jopolitik brenda parlamentit dhe njohje më të madhe ndërkombëtare të këtij grupimi në parlamentet e rajonit dhe vendeve evropiane.

Njëherësh deputetet do të ndërmarrin nismat në përmirësimin e legjislacionit për kuotimin e pjesëmarrjes së grave në biznes, bordet drejtuese të institucioneve, fushën akademike dhe në drejtimin e  shërbimeve të ndryshme publike dhe private.

ADG do të punojë  me një plan veprimi më ambicioz në luftën kundër dhunës ndaj gruas, ku do të ketë më shumë nisma ligjore për statusin e viktimave të dhunës, mbrojtjes së fëmijëve të tyre, si dhe promovimit më të fortë të të drejtave të grave në çdo fushë.

Doda mbështetur dhe nga deputetet pjesëmarrëse propozoi që në Kodin e sjelljes në Kuvend të kërkohet rishikimi i kohëzgjatjes  dhe i numrit të ndërhyrjeve në seancë  nga deputetët burra dhe ekzekutivi, dhe kërkoi nga kolegët një ngritje të etikës së komunikimit brenda dhe jashtë Kuvendit.

Në fjalën e tyre, përfaqësueset e OSBE-së dhe UN Woman që mbështetën takimin, vlerësuan veçanërisht rolin aktiv që AGD ka marre në mbrojtjen e të drejtave të grave shqiptare, rritjes së  përfaqësimit të tyre në politikë e sektorë të ndryshëm, si dhe në luftën kundër dhunës ndaj gruas.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb