Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka zhvilluar sot një takim në Lezhë me mbështes të PD-së sa i takon reformës administrativo-territoriale.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Alibeaj theksoi se Lezha ka nevojë për rikinceptim të territoreve dhe jo vetëm. Po ashtu ai theksoi nevojën që të kthehet pushteti lokal të qytetari.

REAGIMI I ALIBEAJT
Në Lezhë për Reformën administrativo-territoriale me qytetarët dhe grupet e interesit. Si në çdo takim tjetër, edhe këtu u pohua me shqetësim se reforma territoriale e njëanshme e shumicës PS-LSI, ka dështuar plotësisht dhe bashkitë kanë falimentuar.
Lezha ka nevojë për rikinceptim të territoreve dhe jo vetëm. Reforma nuk është ndarje me vizore e territorit. Ajo duhet të sigurojë autonominë nga pushteti qendror dhe vetëqeverisjen vendore, të mbrojë kompetencat vendore nga pushteti qendror, në mënyrë që pushteti vendor të jetë realisht afër qytetarëve dhe në shërbim të tyre.
Lezha, si çdo qark tjetër, ka nevojë akute për reformë të thellë gjithëpërfshirëse dhe të vërtetë. Pushteti vendor duhet t’u ofrojë shërbimet qytetarëve të tij. Qytetarët duhet të jenë mbajtësit e vërtetë të pushtetit. Për këtë arsye, referendumet vendore, si mjet i qytetarëve për realizimin e demokracisë vendore, do jenë një prej cështjeve themelore që ne do paraqesim në Komisionin e Reformës.
Në takimin e Lezhës, qytetarët dhe ekspertët diskutuan hapur dhe me përgjegjshmëri. Theksi u vu decentralizimi i pushtetit të kryetarit të bashkisë, por mbi të gjitha tek domosdoshmëria e decentralizimit fiskal dhe aftësimi financiar i bashkive, që në projektin e PD duhet të jenë parësore. Ne jemi të vendosur për një reformë të thellë e të vërtetë, për të kthyer pushtetin lokal tek qytetari dhe në shërbim të tij, që në çdo qark të ketë demokraci funksionale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: